Tiranë- Shtrenjtohen produktet e bulmetit. Fillimi i shtatorit ka shënuar rritjen më të lartë deri në 33%.
Listën e kryeson qumështi i lopës dhe produktet e tij, për shkak të rënies së prodhimit. Prodhuesit pohojnë se janë një serë faktorësh zinxhir që po ndikojnë në rritjen e lartë të çmimeve, që nga ulja e peshës së fermave të lopëve për shkak të shtrenjtimit të lëndës ushqyese, materialeve ambalazhuese, qelqit dhe plastikës dhe largimit të fermerëve në emigracion.
Qumështi i hapur i lopës që tregtohet individualisht nga fermerët në dyqanet ushqimore në Tiranë nga 1 shtatori u rrit 23% (nga 130 lekë/1.5 L arriti në 160 lekë).
Kosi natyral i lopës është shtrenjtuar 27%. Nga 220 lekë/litër kosi me ambalazhim në vazo qelqi që kushtonte në muajin korrik çmimi i tij në fillim të shtatorit ka arritur në 280 lekë. Çmimi i kosit pësoi rritje edhe në fillim të muajit korrik rreth 16% (nga 220 lekë/L arriti në 255 lekë).
Shtrenjtim të lartë ka pasur edhe të gjalpit të hapur të lopës. Çmimi i tij nga shtatori u rrit 33% (nga 600 lekë/kg arriti në 800 lekë).
Blegtoria vazhdon në rënie dhe numri i krerëve pakësohet përditë. Sipas të dhënave të INSTAT për 2021 në vend numri i dhive ra 3% krahasuar me 2020, numri i deleve ra 5% dhe i gjetheve 7% më pak.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4% krahasuar me 2020, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%. Ndërsa importet e importet e qumështit për 2021 shfaqen me rritje rreth 43% më shumë se 2020. 56% të totalit të qumështit me jashtë e zëne importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnje-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021 rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 2020.