Ballina Lajme Shqipëria i hap rrugë ekstradimit të blogeres ruse pas “garancive nga Rusia”

Shqipëria i hap rrugë ekstradimit të blogeres ruse pas “garancive nga Rusia”

1

Igor Krasnov, prokurori i Përgjithshëm i Federatës Ruse, është prej vitesh në listat e personave të sanksioniuar nga Bashkimi Europian, SHBA-të dhe në prill 2021 edhe nga Shqipëria, pasi sipas tyre “në kapacitetin e tij si Prokuror i Përgjithshëm është përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut”. Krasnov dhe institucioni që ai drejton janë sanksionuar ndër të tjera edhe për moszbatim të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Por kjo biografi e njërit prej njerëzve të afërt të Vladimir Putin nuk e ndaloi Ministrinë shqiptare të Drejtësisë që t’i hapte rrugë në fund të vitit që shkoi, nisjes së procedurave për ekstradimin e blogeres ruse, Svetlana Timofeeva dhe t’i përcillte formalisht prokurorisë shqiptare, kërkesën nga Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse drejtuar nga Krasnov.

Kodi i Procedurës Penale i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë që të refuzojë një kërkesës për ekstradim apo edhe të vërë kushte për ekstradimin. Por e pyetur nga BIRN në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriu në Rusi dhe arsyet pse kishte lejuar fillimin e procedurës për rastin në fjalë, Ministria e Drejtësisë pretendoi se zbatonte “gërmë për gërmë” Kodin dhe se kishte marrë garanci nga Prokuroria e Përgjithshme Ruse e drejtuar nga i sanksionuari Krasnov.

“Ministria e Drejtësisë ka administruar kërkesën për ekstradim të subjektit të lartpërmendur, në të cilin Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse, në cilësinë e autoritetit qendror ka dhënë garancitë se kërkesa e ekstradimit nuk ka për qëllim përndjekjen e personit për arsye politike, për shkak të racës, fesë, kombësisë ose pikëpamjeve politike etj”, tha Ministria e Drejtësisë përmes një koordinatori për të drejtën e informimit.

Timofeeva, e arrestuar dhe nën hetim në Shqipëri që prej gushtit të vitit të shkuar së bashku me dy persona të tjerë, me akuzat të spiunazhit, u shpall në kërkim edhe nga Rusia me të njëjtat akuza, në një çështje që njësoj si ajo në Shqipëri përfshin hyrjen dhe fotografimin në mjedise gjysmë të braktisura ushtarake të epokës sovjetike. Por ndërsa pret përfundimin e hetimeve në Shqipëri ku pretendon pafajësi, Timofeeva e kundërshton ekstradimin në Rusi.

Në seancën e parë gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, në 2 shkurt, Timofeeva tha se ishte divorcuar nga bashkëshorti dhe ishte larguar nga Rusia për shkak të qëndrimeve kundër pushtimit të Ukrainës. Ajo këmbëngul se atje do të përndiqej politikisht për këto qëndrime. Në një letër për miqtë e saj, të cilën BIRN e ka lexuar, blogerja thotë se nëse do duhej të qëndronte në burg ajo do zgjidhte burgun në Shqipëri.

Isuf Shehu, avokat i Timofeevas, në procesin gjyqësor në të cilin ajo kundërshton ekstradimin në Rusi, i tha BIRN se Ministria nuk duhej të kishte përcjellë kërkesën për shqyrtim prokurorisë, pa hetuar më herët nëse vendi kërkues “i respektonte të drejtat e njeriut” dhe se “nuk do i persekutonte të kërkuarit për çështje politike”.

“Ministria e Drejtësisë duhet të verifikojë medoemos nëse ajo çfarë thotë institucioni përkatës i shtetit kërkues, që është Prokuroria e Përgjithshme, qëndron ose jo,” tha Shehu, duke vënë në dukje se në rastin e Rusisë kishte ndodhur e kundërta.

Njëlloj edhe avokatë të të drejtave të njeriut e shohin me shqetësim nisjen e procedurës, pa pasur një verifikim të kushteve për të drejtat e njeriut në Rusi.

“Në rastin konkret, Federata Ruse ka lënë shumë prova për shkeljen e të drejtave te njeriut, ku në një numër të madh rastesh ka vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që jo vetëm kanë evidentuar shkeljet, por edhe nuk janë zbatuar nga shteti përkatës,” tha Dorian Matlija, drejtues i qendrës Res Publica.

Matlija thotë se vetëm deklarata formale nuk e përjashton rrezikun, ndërsa thotë se largimi i Rusisë nga Konventa për të Drejtat e Njeriut është diçka që nuk mund të neglizhohet. “Largimi nga konventa është kulmimi i këtij aspekti,” tha ai.

Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, tha se për të ishte shqetësues fakti nëse personi rrezikonte të ndëshkohej për qëndrimet politike. “Nëse ka indicje lidhur me to, autoritetet duhet të sigurojnë informacion nga burime të pavarura si OSHC apo media e pavarur ndërkombëtare apo vendase që njeh situatën më mirë,” tha ajo.

Skëndaj shtoi se nëse e kërkuara kishte mbajtur qëndrime që binin ndesh me politikën e Putin, përfshi çështjen e luftës në Ukrainë, ajo nuk duhet të ekstradohet. “Ekziston një rrezik potencial që të përndiqet politikisht, siç është vepruar me të tjerë,” tha Skëndaj.

Megjithatë, Skëndaj shtoi se “nisja nuk prezumon ekstradimin” dhe se procesi do të kontrollohet nga gjykata.

Gentjan Sejrani, aktivist i shoqërisë civile dhe avokat, thotë se garancitë e marra nga Rusia në këtë rast ishin të pavlefshme.

“Përsa i përket garancisë që ka marrë Ministria Drejtësisë nga Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë se personi që do ekstradohet do t’i garantohen respektimi drejtave të njeriut, mund ta krahasoj me deklaratat e zyrtarëve rusë se në Ukrainë nuk po shkelen të drejtat e njeriut,” tha ironikisht Serjani.

Ndërkohë, prokurori Mustafa Turku që përfaqëson prokurorinë në këtë çështje i tha BIRN se nuk kishte një qëndrim dhe se nuk shprehej në favor apo kundër kërkesës për ekstradim.

Polemikat për kërkesën për ekstradimin e Timofeevas nuk janë të veçuara. Në Bullgari në gusht të vitit që shkoi, një gjykatë e shkallës së parë i dha të drejtë Rusisë të ekstradonte një shtetas rus me qëndrim atje edhe pse ishte e qartë që ai kërkohej pasi dogji në mënyrë demonstrative pasaportën në protestë kundër luftës. Vendimi solli debat dhe u rrëzua në shkallët e tjera të gjyqësorit.

Ndërkohë, vendet partnere të Shqipërisë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kërkuan në mars të vitit që shkoi që Rusia të përjashtohej nga Interpoli, për shkak të raporteve se ajo kishte kryer krime kundër njerëzimit. Në të njëjtën kohë SHBA, BE dhe vende të tjera kanë vendosur nën sanksione zyrtarë dhe institucione të Rusisë, përfshi Prokurorin e Përgjithshëm. Shqipëria, si kandidate për në Bashkimin Europian, u është bashkuar këtyre sanksioneve.

Por Ministria e Drejtësisë thotë se sanksionet e BE dhe SHBA ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë nuk pengonin në nisjen e procedurave të ekstradimit.

“Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë nuk ka lidhje me masat shtrënguese, të cilat janë vetëm politike dhe ekonomike,” tha Ministria e Drejtësisë./BIRN