Ballina Lajme Shqetësuese: A do ta zgjidhte ngrohjen globale një ‘luftë e vogël bërthamore’?

Shqetësuese: A do ta zgjidhte ngrohjen globale një ‘luftë e vogël bërthamore’?

3

Një studim kontrovers nga NASA është bërë pjesë e diskursit publik duke shkaktuar shqetësimin e banorëve anë e mbanë globit.
Më shumë se një dekadë para luftës në Ukrainë prestigjiozja Huffington Post botoi një artikull me po të njëjtin titull që detajonte një studim të NASA-s i cili pretendon se ‘një luftë e vogël bërthamore’ mund të zgjidhte ngrohjen globale.

12 vite më vonë, ky studim shqetësues duket se ka bërë një rikthim në diskursin publik.

Por fillimisht, çfarë thuhej në studim?
“Shkencëtarët e NASA-s dhe një numër institucionesh të tjera kanë modeluar së fundmi efektet e një lufte që përfshin 100 bomba të kalibrit të Hiroshimës, ose 0.03% të arsenalit aktual bërthamor në botë, sipas National Geographic. Hulumtimi sugjeron se 5 milionë tonë metrikë karbon të zi do të fshiheshin në pjesën më të ulët të atmosferës,” – shkruan Huffington Post.

Rezultati i kësaj lufte “të vogël”, sipas modeleve klimatike të NASA-s, në fakt mund të ishte ftohja globale.

Ndërsa ftohja globale e shkaktuar nga lufta midis dy superfuqish mund të jetë katastrofike (që shpjegon edhe termin “dimër bërthamor”), një luftë në shkallë më të vogël mund të ketë ndikim pozitiv në klimën botërore, shkruan National Geographic.

Modelet sugjerojnë se megjithëse bota aktualisht është në një prirje ngrohjeje, lufta në shkallë të vogël mund të ulë temperaturat globale me 1.26 gradë Celsius për 2 deri në 3 vjet pas luftës.

Në zonat më tropikale temperaturat mund të bien nga 5.4 deri në 7.2 gradë Celsius.

Këto gjetje tingëllojnë vërtetë shqetësuese, por të paktën, studimi i NASA-s arrin të vë në pah se pasojat e një katastrofe të tillë do të ishin shumë më të mëdha se përfitimi nga një ndryshim sado i konsiderueshëm i procesit të ngrohjes globale.

“…edhe një shkëmbim i vogël i armëve bërthamore – midis 50-100 bombave të madhësisë së Hiroshimës, të cilat India dhe Pakistani i kanë tashmë në arsenalin e tyre – do të prodhonte mjaft blozë dhe tym për të bllokuar rrezet e diellit, për të ftohur planetin dhe për të prodhuar një ndryshim klimaterik të paprecedentë në historinë e regjistruar njerëzore.

Për më tepër, moti ekstrem i shkaktuar edhe nga një dimër i butë bërthamor do të kishte një efekt të jashtëzakonshëm në të korrat dhe zitë e bukës, duke përfshirë krijimin e një uljeje globale prej 10 % të reshjeve. Bloza gjithashtu mund të shkaktojë dëm të jashtëzakonshëm në shtresën e ozonit, duke lejuar që më shumë rreze ultravjollcë të arrijnë në tokë,” sipas National Geographic.

Të këqijat duket se peshojnë më shumë se të mirat në rast të ftohjes globale të shkaktuar edhe nga një luftë e vogël bërthamore.

E megjithatë, ky diskurs është më koherent se kurrë dhe duket se ka bërë një rikthim në opinionin publik.

Jo më larg se javën e shkuar, më 6 tetor, faqja popullore e shkencës dhe inxhinierisë World of Engineering postoi në Twitterin e saj prej 2.4 milionë ndjekësish, një model të sajin me pasojat që do të kishte një ‘luftë e vogël bërthamore’ mbi ngrohjen globale duke nxjerrë të njëjtat përfundime si studimi i NASA-s gati 12 vite më parë.

Në modelin e tyre është përmendur sërish efekti ftohës global që mund të ketë një luftë e vogël bërthamore.

Sipas agjencisë Newsweek, ky postim mblodhi mbi 1000 pëlqime.

Newsweek gjithashtu raportoi se menjëherë pas kësaj, një video e Donald Trump Jr., djalit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, u postua në Twitter nga ish-prokurori federal Ron Filipkowski.

Në të, Trump Jr. flet para kamerës mbi temën e luftës bërthamore dhe pretendon se ka lexuar një artikull lajmesh javën e kaluar se si “një luftë e vogël bërthamore … mund të jetë e mirë për ngrohjen globale ose krizën klimatike”.

Ndërkohë, Alan Robock, një profesor i shquar i shkencës klimatike në Departamentin e Shkencave Mjedisore në Universitetin Rutgers tha për Newsweek se vlerësimi i 2.25 gradë F për 2 deri në 3 vjet i paraqitur nga World of Engineering ishte “i gabuar” dhe se efektet klimatike “do të vareshin plotësisht nga sasia e tymit që do të prodhohej.”

Robock tha gjithashtu se meqenëse këto efekte do të ishin të përkohshme, nuk është aspak e saktë të thuhet se kjo do të zgjidhte ngrohjen globale.

Në të vërtetë, kur shikohet në një kontekst më të gjerë, një luftë bërthamore në fakt do t’i bënte gjërat shumë më keq duke shkaktuar një krizë krejtësisht të re klimatike.