Shpenzimet për shëndetësinë, në raport ekonominë dhe shpenzimet e përgjithshme buxhetore, kanë ardhur në ulje në vitin 2022, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në një kohë që nevojat e popullsisë së vendit për këto shërbime po rriten prej plakjes dhe rritjes së barrës së sëmundjeve.
Shpenzimet publike në sektorin e shëndetësisë për vitin 2022 janë 63.8 miliardë lekë. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ato arritën në 2.98% dhe kanë shënuar rënie vjetore me 0,44 pikë përqindje, ndërsa shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,90 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.
Shpenzimet buxhetore për shëndetësinë në raport me PBB-në ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2017.
Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar përgjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten.
Treguesit zyrtare referojnë se brenda buxhetit të shëndetësisë ka shpërndarje jo të barabartë të fondeve.
Gati për një dekadë buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vend numëro në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.