Ballina Lajme Shoqata “Apollonia në Greqi pjesë e “Festës së grurit” Elida Sopoti: Do...

Shoqata “Apollonia në Greqi pjesë e “Festës së grurit” Elida Sopoti: Do të jemi kurdoherë pranë vendlindjes sonë, Myzeqesë

13

 

“Festa e grurit” është pritur me kënaqësi dhe padurim nga anëtarët e shoqatës “Apollonia” në Greqi, të cilët kanë shprehur dëshirën e zjarrtë për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje festive tepër të veçantë, e cila po kthehet në një traditë të bukur në Myzeqe. Ka qenë ftesa e kryetarit të bashkisë së Fierit Armando Subashi, drejtuar shoqatës “Apollonia” për të marrë pjesë në këtë festë ajo, që ka zgjuar këtë dëshirë të madhe, por edhe mobilizim për të qenë sa më përfaqësues në këtë festë të madhe.

Festa e grurit zhvillohet në prag të çeljes së stinës së korrjes dhe shirjes së grurit për të dhënë kështu një falënderim dhe respekt për të gjithë fermerët që e mbjellin këtë kulturë, por edhe për të gjithë përdoruesit e tij në mënyrë të veçantë bukëpjekësit dhe prodhuesit e asortimenteve të tjera me bazë grurin.

Sapo është bërë i ditur njoftimi se do të organizohet sërish kjo festë, shoqata “Apollonia” përmes kryetares së rizgjedhur të saj Elida Sopoti, ka bërë të ditur se ata do të jenë pjesë e kësaj feste, pasi kur bëhet fjalë për ruajtje e zakoneve dhe traditave myzeqare në veçanti dhe ato shqiptare në tërësi, kjo shoqata është kurdoherë e gatshme për të qenë sa më pranë organizmit dhe festimit. Kështu që edhe me këtë festë nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Pas organizmit, anëtarë të shoqatës “Apollonia” u nisën drejt vendlindjes së tyre, Fierit, për të festuar bereqetin e ri me gjithë patriotët tyre myzeqarë.

Ata gjatë udhëtimit nga Greqia drejt Shqipërisë në ndalesat e tyre kanë postuar fotografi duke shprehur kënaqësinë e veçantë që do të jenë pjesë aktive e këtij eventi, që në pikëpamjen organizative shquhet për një larmishmëri elementesh duke e shndërruar kështu në festë gjithë përfshirëse si për të rritur, por edhe për brezin e ri. Pas një udhëtimi shumë orësh grupi i shoqatës “Apollonia” ka mbërritur në fshatin Pojan ku do të zhvillohej “Festa e grurit”, e cila tashmë cilësohet si festa më e bukur dhe më tradicionale, që organizon bashkia e Fierit nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë Armado Subashi. Një kujdes në mikpritjen e tyre sa nga kryebashkiaku Subashi, por edhe nga drejtuesja e drejtorisë së Kulturës dhe Artit pranë bashkisë Fier, Adriana Mile. Duhet theksuar fakti që origjina e kësaj festë vjen nga antikiteti dhe u organizua nga Bashkia e Fierit për herë të parë në vitin 2019. Ajo është zhvilluar si zakonisht në fshatin Pojan si një nga 100 fshatrat më të bukura shqiptare, i cili ndodhet shume pranë parkut arkeologjik e emrin e të cilit mban dhe vetë shoqata. Orët kanë kaluar dhe grupi i shoqatës “Apollonia” ka filluar të takohet dhe përshëndetet me miq e shok të njohur të zonës së Myzeqesë, pasi edhe pse prej vitesh janë të emigruar sërish kanë ditur t’i ruajnë lidhjet mes njeri tjetrit. Më në fund festa filloi. Ajo ka nisur me një parade madhështore, e cila filloi me parakalimin e nxënësve të shkollave, të veshur me kostume kombëtare te zonës.

Pjesë e kësaj parade kaq emocionuese u bë edhe shoqata “Apollonia” e cila pati nderin, të parakalojë me flamurin e saj duke dëshmuar edhe një herë sesa me vlerë do të jenë edhe në vijim pjesëmarrje të tilla. “Ndihemi të lumtur dhe të gëzuar që ndodhemi sot mes vëllezërve dhe motrave tona myzeqarë. Ndihemi të lumtur kur shohim këta djem e vajza plot dritë, jetë që zbukurohen e hijeshohen me kostumet e bukura popullore, që janë tregues mirë, që do të luftojmë fort për të ruajtur vlerat tona kombëtare”,- u shpreh drejtuesja e kësaj shoqate Elida Sopoti.

Mes haresë dhe gëzimit, mes këngës e valles, me artistët më të mirënjohur të zonës, por të gjithë Shqipërisë ,ata janë ndjerë si në një valle të madhe. Duke gjetur rastin ajo ka falënderuar përzemërsisht kryetarin e bashkisë Armando Subashi që jo vetëm çeli rrugë e bashkëpunimit me këtë shoqatë, por po tregon ambicien e dëshirën e tij për t’i pasur sa më pranë shtëpisë së madhe, të vendlindjes emigratët fierakë tashmë në Greqi, por nesër dhe më gjerë.

Sipas Sopotit, ruajta e traditave myzeqare dhe përcjellja e tyre te brezi i ri ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga misionet e shoqatës “Apollonia” në Greqi. “Shoqata jonë është shumë aktive dhe në Greqi, ku përmes organizmit të aktiviteteve të ndryshme dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme të anëtarëve të kësaj shoqate, emigrantëve fierakë, bëhet e mundur jo vetëm, të kalohen çaste të bukura dhe gazmore, por të risillen në vlerësim traditat tona kaq të bukura dhe të mbushura me element të veçantë, të mësuara dhe edukuara nga më të rriturit, nga familjet dhe prindërit e trevës së Myzeqesë.

Festat tona zakonisht janë mes këngës myzeqare, gatimeve tradicionale fierake dhe valleve të bukura popullore. Jemi të lumtur që zoti Subashi po sjellë një vizion të ri në drejtim të bashkëpunimit mes nesh dhe bashkisë së Fierit. Besojmë se edhe më shumë do të bëjmë në të ardhmen”,- shprehet Sopoti mes gëzimit dhe emocionit, që i lexohet dukshëm në portret. Pas një mbrëmje të gjatë e argëtuese dhe pas takimeve dhe qëndrimeve në vendlindje po të zëna me shumë aktivitete të tjera, ata janë larguar me kokën të kthyer pas dhe me premtimin se tashmë dera e hapur e bashkëpunimeve nuk do të mbyllet kurrë.