Ballina Lajme Shoqata “Apollonia” feston në Athinë ditën e çlirimit të qytetit të Fierit

Shoqata “Apollonia” feston në Athinë ditën e çlirimit të qytetit të Fierit

308

Përmes një atmosfere tepër të gëzuar dhe të mbushur me entuziazëm shoqata “Apollonia” ka festuar në mjediset e hotel “Cavallari Palace” në Athinë ditën e çlirimit të qytetit të Fierit. Për të ardhur deri në çastin e bukur të kësaj feste shoqata “Apollonia” përmes strukturave të saj organizative kishte lajmëruar gjithë anëtarësinë e saj se me afrimin e datës 15 Tetor do të organizohet një festë e bukur mes miqsh në ditën e çlirimit të qytetit të Fierit.

Ftesës i janë përgjigjur me dhjetëra bashkëqytetarë fierakë që jetojnë e punojnë në Greqi, por kanë shënuar pjesëmarrjen e tyre në këtë festë gëzimi të veçantë anëtarë të shoqatës “Vëllazërimi”, Shoqatës së Emigrantëve në Greqi si dhe të shoqatës “Vaçe Zela”.

E si gjithmonë edhe kjo festë ishte menduar të organizohej me praninë e këngëtarëve të mrekullueshëm shqiptarë që do të sillnin live këngë të mrekullueshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë, vallet dhe çdo gjë të bukur të traditave shqiptare. Mbrëmja është zbukuruar nga zëri i këngëtarit Kita Caraoshi dhe nga zëri këngëtares së mirënjohur Jolanda Dhamo, nga loja plot profesionalizëm dhe dashuri e Armando Dhimitri në tastierë dhe Piro Dine me klarinetë.

Me synimin tashmë të qartë të shoqatës “Apollonia”, atë të trashëgimit të pasurive dhe traditave të zonës së Myzeqesë dhe më gjerë, në këtë festë është shpalosur plot hijeshi vallja e grupit të sapokrijuar dhe të veshura me një fustan festiv duke qenë lezeti dhe surpriza e kësaj mbrëmjeje. Ato janë përgatitur me numrat e rastit nga Theodhora Labani dhe kostumografia nga mjeshtria e gjilpërës Vali Koci

Rreth kësaj feste dhe më gjerë drejtuesja e shoqatës Elida Sopoti do të shprehej: “Çdo ditë e më shumë po punohet jo vetëm me të rriturit, por edhe me brezin e ri për të trashëguar këto vlera duke organizuar aktivitete të tillë në të cilën të jenë pjesëmarrës sa më shumë të rinj e të reja duke filluar nga këngët e vallet, gatimet tradicionale që përcillen përmes takimeve festive dhe që kanë dhënë rezultatet të kënaqshme dhe po mbështeten përherë e më shumë nga anëtarët e shoqatës sonë.”

Nga njëri emocion te tjetri mbrëmja e festës festive të ditës së çlirimit të qytetit të Fierit ka shënuar disa pika kulmore ku më së shumti kanë marrë vend dhe pathos këngët him të flamurit tonë kombëtar, por edhe ato fierake dhe më gjerë. Nëse dikur ishte e vështirë për emigrantët shqiptarë të pohonin që ishin shqiptarë sot ata festojnë e këndojnë këngët e tyre dhe valëvisin në duar flamurin tonë kuqezi.
Në planet e kësaj shoqatë në të ardhmen e afërt do të jenë festat e nëntorit dhe ato të fundvitit kur përsëri do të jetën së bashku me njeri-tjetrin.