Ballina Kuriozitete Shkencëtarët zbulojnë për herë të parë një shpellë në Hënë, vendi ideal...

Shkencëtarët zbulojnë për herë të parë një shpellë në Hënë, vendi ideal për…

2220

Shkencëtarët kanë zbuluar për herë të parë një shpellë në Hënë që është të paktën 100 metra e thellë dhe mund të jetë një vend ideal për njerëzit për të ndërtuar një bazë të përhershme, sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Nature Astronomy.

Sipas shkencëtarëve, është vetëm një nga qindra shpellat e fshehura në Hënë, raportoi BBC.

Vendet po garojnë për të krijuar një prani të përhershme njerëzore në Hënë, por atyre do t’u duhet të mbrojnë astronautët nga rrezatimi dhe temperaturat ekstreme.

Astronautja e parë femër britanike, Helen Sharman, i tha BBC-së se shpella e sapo zbuluar dukej si një vend i mirë për një bazë dhe se njerëzit mund të jetojnë në shpella hënore në 20 deri në 30 vjet.

Shkencëtarët nga Universiteti i Trentos në Itali, Lorenzo Brudzone dhe Leonardo Carrer, gjetën shpellën duke përdorur radar në një fushë shkëmbore të quajtur Mare Tranquillitatis.

Ajo është e dukshme me sy të lirë nga Toka, dhe është gjithashtu vendi ku “Apollo 11” zbarkoi në vitin 1969.

Shpella u formua miliona ose miliarda vjet më parë kur lava rrodhi nëpër Hënë, duke krijuar një tunel përmes shkëmbit.

“Në fund të fundit, jeta në Tokë filloi në shpella, kështu që ka kuptim që njerëzit mund të jetojnë në to në Hënë”, tha Carrer.

Shpella ende nuk është eksploruar plotësisht, por studiuesit shpresojnë se radarët, kamerat apo edhe robotët që depërtojnë në tokë mund të përdoren për ta eksploruar atë.

Shkencëtarët fillimisht kuptuan se ndoshta kishte shpella në Hënë rreth 50 vjet më parë.

Më pas, në vitin 2010, një kamerë në një mision të quajtur Lunar Reconnaissance Orbiter kapi gropa që shkencëtarët mendonin se mund të ishin hyrje të shpellave.

Koordinatori i Ekipit të Shpellave Planetare të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, ​​Francesco Sauro tha se zbulimi në Hënë mund të hapë derën për gjetjen e provave të jetës në Mars.