Një megaoperacion nga Europol ka çuar në shkatërrimin e rrjetit global të pastrimit të parave, që vinin nga trafiku i drogës, kryesisht nga Amerika e Jugut.
Në pranga për operacionin u vunë 33 persona, me kombësi italiane, shqiptare, kolumbiane, marokene dhe siriane. Gjithashtu u sekuestruan 18.5 milionë euro asete nga pastrimi i parave të pista.
Të arrestuarit kishin krijuar një rrjet ndërkombëtar kompanish dhe “ofronin shërbim profesional kriminal për të fshehur origjinën e të ardhurave të krijuara nga trafiku i drogës”.
Hetimet nisën që në 2020, ku u zbuluan një rrjet kompanish elektronike të vendosura në mbarë globin që funksionin për fshehjen e origjinës së parave të pista. Për të pastruar fitimet nga droga të krijuara në Evropë, kriminelët e arrestuar ofruan një shërbim të pastrimit të parave të bazuara në tregti të njohur si “Black Market Pesos Exchange”.
Këto kompani ishin vendosur në Kinë, Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në vende të tjera, të cilat funksionin për të fshehur burimin, vendndodhjen, pronësinë, kontrollin, origjinën dhe destinacionin e fondeve të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe të shmangte zbulimin e tyre.
Ky proces zvogëlon rrezikun e humbjes së parave përmes konfiskimeve dhe lejon akses më të shpejtë në fondet. Operacioni është zhvilluar nga Europol në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe spanjolle.
/rtsh.al/