Ballina Lajme Shijoni diellin këtë fundjavë, meteorologu: “Javës tjetër do të rikthehet bora dhe...

Shijoni diellin këtë fundjavë, meteorologu: “Javës tjetër do të rikthehet bora dhe shiu”

46

Bëhuni gati për një mot me diell dhe temperatura të përshtatshme për plazh këtë fundjavë dhe fillimin e javës që vjen.

Sinoptikani Elvi Jahaj nga Shërbimi Metereologjik Ushtarak bën me dije se moti këtë fundjavë parashikohet i kthjellët, me vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në lindje.

“Sikurse sot edhe në fundjavë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të thata me origjinë perëndimore. Moti parashikohet i kthjellët, me vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në lindje.

Në fundjavën që presim përpara gjithashtu vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët me alternim vranësirash kalimtare, të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara në relievet malore në Lindje.

Sa u përket temperaturave, në mëngjes do të jenë relativisht të freskëta me -2 gradë në zonat malore dhe 0 deri në 4, 5 apo 6 garadë celciuz në zonat e ulëta dhe bregdetare.

Sa iu përket vlerave të ditës, ato priten të jenë relativisht të larta për periudhën që ndodhemi me vlera që kapin:

Në zonat malore, 14-15 gradë celcius.
Në zonat e ulëta dhe ato bregdetare 20-22 gradë celcius.
Sa i përket erës, ajo do të jetë kryesisht e lehtë me drejtim nga kuadranti i veriut dhe shpejtësi mesatare 1-8 m për sekondë. Pra thënë ndryshe, kjo fundjavë dhe fillimi i javës së ardhshme mund të jenë idealet për një xhiro në bregdet”- tha Jahaj.

I pyetur nëse do të kemi një rikthim të masave ajrore të ftohta apo shkurtin do ta mbyllim me ngrohtësi, Jahaj thotë se ditët me diell nuk do të thotë se dimri ka ikur pasi shumë shpejt do të kemi një rikthim të shiut dhe dëborës.

“Ditë me diell kemi pasur edhe më parë, por dimri ende nuk ka ndalur pasi kemi edhe marsin dhe prillin përpara dhe mund të them që kjo është kalimtare. Do të kemi një rikthim të shiut dhe dëborës”- tha Jahaj./TopChannel