Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, Robert Menendez ka ashpërsuar tonet ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke e cilësuar atë si të ngjashëm me Vladimir Putinin.
Duke folur gjatë drejtimit të mbledhjes së Komitetit për Punët e Jashtme, Menedez theksoi se në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, aktorët nuk po veprojnë njëlloj dhe në mirëbesim. Për këtë aryse, ai përmendi Vuçiçin kur tha se “tjetër gjë iu thotë liderëve perëndimorë, tjetër gjë i thotë popullit serb përmes mediave të kontrolluara nga shteti”.
Menendezin vuri në dukje se ka një ngjashmëri të madhe mes retorikës së Vuçiçit dhe asaj të presidentit rus Vladimir Putin.
“Duke kontrolluar informacionin, duke minuar shoqërinë civile, Vuçiç vazhdon të promovojë narrativën kombëtare serbe për kombin e madh serb, që i ngjan vizionit të Putinit për një Rusi të madhe”, theksoi ai.
Gjithashtu, Menedez shpjegoi lidhjet e ngushta mes Vuçiçit dhe Putinit, ndërsa u shpreh se Serbia refuzon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian për shkak të qëndrimit mbi sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Rusisë pas sulmit ushtarak të kësaj të fundit ndaj Ukrainës.
Ai vuri në dukje se ndaj Kosovës ka shumë presion prej Perëndimit dhe nuk ndodh një gjë e tillë ndja Beogradit. Ndërsa hoqi paralele mes Bashkimit të Komunave Serbe, që është kushti i Serbisë për Kosovën, dhe Republikës Srpska.
“Nuk ka asnjë plan apo garanci që Bashkimi i Komunave Serbe nuk do të bëhet një Republikë Srpska tjetër. Unë shoh pasojat e rrezikshme të kësaj në Bosnje dhe Hercegovinë” tha Senatori Menendez.
Senatori përmendi edhe shkrimin e gazetës “New York Times” për lidhjet mes presidentit serb, huliganëve dhe krimit të organizuar.
Senatori Menendez i Partisë Demokratike nga shteti i Nju Xhersit, kryesoi seancën dëgjimore të zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Punëve të Jashtme (Departamenti i Shtetit) Derek Chollet dhe Gabriel Escobar mbi situatën në Ballkanin Perëndimor (Bosnjë dhe Hercegovinë. , Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria).
/rtsh.al/