Një shumë e madhe parash, e padeklaruar, është sekuestruar këtë pasdite në pikën kufitare Morinë në Kukës. Policia bën me dije se bëhet fjalë për 61900 euro, ndërsa po ndiqet penalisht 32-vjeçari me inicialet Q.L banues në Itali, që nuk i deklaroi.
Njoftimi i plotë:
Morinë, Kukës/Policia Kufitare, kontrolle intensive për goditjen e veprimtarive kriminale.
Si rezultat i kontrolleve, goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen 61 900 euro, procedohet penalisht 32-vjeçari që nuk i deklaroi në PKK Morinë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Volkswagen”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit të këtij automjeti, shtetasit Q. L., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 61 900 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. L., 32 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.