Ballina Lajme Politike Sarandë, PD me 2 kandidatë për kryebashkiak, Alibeaj prezanton, Skender Muçon

Sarandë, PD me 2 kandidatë për kryebashkiak, Alibeaj prezanton, Skender Muçon

1

Pavarësisht dinamikës së zhvillimeve të brendshme në PD, ku çështja e vulës mbetet ende një temë e nxehtë debati mes mbështetësve të Berishës dhe Alibeajt, paraqitja e kandidatëve për kryebashkiakë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, nga të dy grupimet, vijon të jetë ende në krye të rendit të ditës.

Saranda ka qenë ndalesa e rradhës e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për të prezantuar kandidatin për kryetar bashkie të këtij qyteti.

Sipas një njoftimi për shtyp, kandidati në garë do të jetë Skender Muço, i cili është prezantuar sot me strukturat e degës, si kandidati për kryetar bashkie në Sarandë nën siglën e PD-së. Prezantimi u bë gjatë një takimi në Sarandë nga kryetari në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj.

“Skender Muço, me profesion jurist, Mjeshtër Sporti në not është një nga figurat më të nderuar të Sarandës, I cili do të garojë për bashkinë e skajit jugor të vendit. Muço është i njohur jo vetëm si një sportist i madh dhe pjesë e një familje kampionësh në not, por edhe për kontributin e tij qytetar, gjë që e bën atë një kandidat potencial për bashkinë.”- thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas informacionit zyrtar, Muço, është qytetar nderi i Sarandës dhe kontribues në themelim e Partisë Demokratike. Ai ka qenë edhe përfaqësues i PD-së në këshillin bashkiak.

Kandidati i Berishës për bashkinë e Sarandës, që pretendon se do të përfqësojë PD-në në zgjedhjet vendore të 14 majit, është Ardit Cikuli, i cili doli nga “Primaret”.

/rtsh.al/