Turqia u është mirënjohëse të gjitha vendeve për ndihmën që dhanë për përpjekjet e kërkim-shpëtimit dhe ndihmës pas tërmeteve të fuqishëm binjakë të 6 shkurtit. Kështu e ka nisur fjalën e tij Presidenti turk Recep Tayip Erdogan në video-mesazhin drejtuar Samitit të Qeverisë Botërore në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Erdogan bëri me dije më tej se ekipet e kërkim-shpëtimit, kanë nxjerrë më shumë se 8,000 njerëz të gjallë nga rrënojat e tërmetit.
Ai tha gjithashtu se një numër i madh prej mbi 81,000 personash të lënduar nga tërmetet kanë lënë spitalet dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Dëshiroj të falënderoj edhe një herë të gjitha vendet mike dhe motra që kanë mbledhur ndihma për kombin tonë ditë e natë, duke mbështetur përpjekjet tona të kërkim-shpëtimit me ekipet e tyre dhe duke mos na harruar në lutjet e tyre. Turqia, e cila po përballet me një nga katastrofat më të mëdha natyrore jo vetëm në historinë e saj, por edhe në historinë e njerëzimit, nuk do ta harrojë kurrë miqësinë që treguat në këtë ditë të errët”, tha Erdogan.
Më 6 shkurt, dy tërmete të mëdha goditën Turqinë jugore. Lëkundjet me magnitudë 7.6 dhe 7.7 u përqendruan në Kahramanmaras dhe goditën nëntë provinca të tjera – Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakir, Kilis, Osmaniye dhe Sanliurfa. Ata gjithashtu goditën disa vende dhe shkaktuan shkatërrim të gjerë në Sirinë veriore. Më shumë se 31,600 njerëz u vranë në Turqi, dhe 3,600 humbën jetën në Siri.
/rtsh.al/