Ballina Lajme Politike Samiti i NATO-s, Rama në pritjen e liderëve të Aleancës

Samiti i NATO-s, Rama në pritjen e liderëve të Aleancës

14

Ka nisur punimet samiti dyditor i NATO-s në Uashington, i cili përkon me 75-vjetorin e krijimit të Aleancës ushatarake.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg pritën në një ceremoni të posaçme të gjithë liderët e shteteve anëtare të Aleancës, pjesë e cilës ishte dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Mbështetja për Ukrainën është në fokusin e samitit të liderëve të vendeve anëtare të NATO-s.

Presidenti Biden tha se një prej sfidave kryesore me të cilat përballet Aleanca është beteja me autokratët që kërkojnë të përmbysin rendin botëror, ndër të cilët rendit edhe Vladimir Putinin.

Joe Biden, President i SHBA: Në Europë, lufta e Putinit kundër Ukrainës vazhdon dhe Putin nuk kërkon gjë tjetër veçse nënshtrimin e Ukrainës. Por Ukraina mund ta ndalojë Putinin, sidomos nëse ne e mbështesim plotësisht.

Për këtë aryse, shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se vendet aleate kanë rënë dakord për furnizimin e Ukrainës me sisteme më të përparuara të mbrojtjes ajrore, të cilat do të dërgohen nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Rumania dhe Italia.

BBC komenton se në fjalimin 13 minutësh, Biden u përpoq të rifitojë besimin e vendeve të NATO-s dhe elektoratit amerikan, pasi foli rrjedhshëm dhe me zë të plotë në dallim nga debati i 27 Qershorit përballë Donald Trampit, ku u ngritën dyshime se ai nuk është më i aftë për të qenë president i Shteteve të Bashkuara.