“Një vlerësim strategjik”, e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama, mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor të 6 dhjetorit në Tiranë. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët përmes rrjeteve sociale, Rama vlerësoi se ky samit, është më i rëndësishmi në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Jemi 48 orë nga një ngjarje e jashtëzakonshme, historike, më e rëndësishmja në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Të gjithë liderat e BE zbresin në Tiranë, për herë të parë në një vend jo të Bashkimit Evropian, në nja samit të BE-së së bashku me Ballkanin Perëndimor. Një vlerësim strategjik nga ana e organizatorëve për të vendosur në Tiranë këtë stacion. Nuk është një stacion i zgjedhur rastësisht, është i mire menduar”, tha Rama.
Rama deklaroi se përveç kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, i cili nuk do të jetë i pranishëm pasi qëllon në ditën e Kushtetutës, të gjithë liderët e tjerë do të jenë pjesëmarrës në samit. Në këtë rast, Rama bën të ditur se edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të marrë pjesë në samitin e BE që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.
Ndalur tek protesta e PD, me Sali Berishën në krye, paralajmëruar me të njëjtën dite me mbajtjen e samitit, kryeministri e cilësoi një veprim absurd, e udhëhequr nga një non-grata. Për Ramën, thirrja për protestë në këtë ditë të shënuar, është njollosje për të tërhequr vëmendjen për halle personale.
“Protestë absurde, të jemi realistë, nuk ka asnjë lidhje me asgjë tjetër, përveç se vazhdimin e një misioni që e dinë të gjithë. Forcë e parave ruse për të rrëzuar qeverinë, duke njollosur Kosovën dhe Shqipërinë. Një forcë e udhëhequr nga një non-grata. Siguria e samitit nuk negociohet me askënd. Askush nuk do ta provojë të thyejë perimetrin e sigurisë. Do të ishte çmenduri. Njollosje për të tërhequr vëmendjen për halle personale”, tha Rama.
Ndërsa Partia Demokratike ka nisur votimet për Primaret për të zgjedhur kandidatët e saj për zgjedhjet lokale Rama u shpreh i bindur se Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet në 14 maj.
“Jemi një makineri që nuk thyet, të tjerët i duartrokasim në përpjekjet për t’u përmirësuar, por janë shumë larg nesh, ne pastaj e paguajmë me akuza jo na i grabitët, jo na vodhën, ne zgjedhjet i fitojmë”, tha Rama.
Ndalur tek kriza energjitike, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryeminstri deklaroi se deri më tani nuk ka vendim për vendosjen e fashës 800 kWh në muajin dhjetor.