Një “shportë” e veçantë me produkte, çmimet e të cilave do të jenë sa më të përballueshme për familjet, po prezantojnë rrjetet e supermarketeve. Gjithsesi jo këtu në Shqipëri ku çmimet e produkteve si askund në Evropë janë ndjeshëm më shtrenjtë, por në fqinjin tonë Greqi.
Ministri grek i Zhvillimit Adonis Georgiadis njoftoi se kjo u ra dakord në takim me përfaqësues të supermarketeve dhe të tregut, raporton noa.al.
Mësohet se “shporta” do të përfshijë 50 produkte, kryesisht të nevojave bazë, si bukë, makarona, oriz, bishtajore, qumësht, kafe, çaj, sheqer, detergjentë, artikuj shkollorë, etj.
Konsumatorët do të mund të mësojnë për “shportat” speciale të supermarketeve dhe të krahasojnë çmimet, përmes platformës e-katanalotis.
“Ministria e Zhvillimit dhe Investimeve, në përpjekje për të përballuar kushtet e jashtëzakonshme që presionet e larta inflacioniste sjellin në familje, pati edhe një herë një diskutim konstruktiv me të gjithë sektorin e tregtisë me pakicë dhe zinxhirëve të super marketeve, por edhe pjesës tjetër të tregtisë me pakicë”, tha z.Georgiadis.
Siç tha ai, “ne ramë dakord për sa vijon: Çdo rrjet supermarketesh do të prezantojë që tani në tetor shportën e familjes, e cila do të përfshijë 50 produkte të ndryshme të nevojshme për jetesën e një familjeje, për të luftuar për të mbajtur çmimet sa më të ulëta”.
“I gjithë qëllimi është për të mbajtur produktet bazë për jetesën e qytetarëve grekë në nivelin më të ulët të mundshëm”, tha ministri