Ballina Lajme Rritje e produkteve bujqësore e blegtorale shqiptare në tregjet franceze

Rritje e produkteve bujqësore e blegtorale shqiptare në tregjet franceze

1

Shqipëria dhe Franca po shikojnë mundësinë e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë e blegtorisë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u takua të martën në Paris me homologun francez, Marc Fesneau.

Dy ministrat diskutuan gjerësisht mbi zgjerimin e bashkëpunimit me Francën në blegtori, bujqësi, agropërpunim, veterinari dhe shërbimet agromjedisore mes dy vendeve.

Ministrja Krifca, përveç kërkesës për të zgjeruar kontaktet mes tregjeve franceze dhe prodhuesve shqiptarë, shprehu gjithashtu interesin për ta shtrirë projektin e asistencës në blegtori jo vetëm në Korçë dhe Gjirokastër, por edhe në qarqe të tjera të Shqipërisë.

Ministrat gjithashtu dakordësuan mes tyre ndërtimin e planit konkret të punës për bashkëpunim cilësor në formën e asistencës teknike për fuqizimin e agjencisë së pagesave dhe rritje e shkëmbimeve të praktikave dhe standardeve mbi politikat aktuale të BE-së në bujqësi, marrëveshje e cila pritet të nënshkruhet në pranverën e ardhshme në Tiranë.