Ballina Lajme Rritja e pagave për efektivët dhe policët e burgjeve, 48 mijë lekë...

Rritja e pagave për efektivët dhe policët e burgjeve, 48 mijë lekë shtesë për Drejtuesin Madhor, 21 mijë për Komisarin

2

Reforma e qeverisë për rritjen e pagave parashikon një rritje të konsiderueshme pagash edhe për Policinë e Shtetit, Policinë e Burgjeve dhe Zjarrfikësit.

Konkretisht për Drejtuesit Madhor të Policisë së Shtetit dhe atë të Policisë së Burgjeve paga do të shtohet me 48 mijë lekë plus duke filluar nga prilli 2023, për komisarin shtohet me 21 mijë lekë dhe për inspektorin e patë me 20 mijë lekë.

Edhe sektorit të zjarrfikëseve rritja do të jetë me 20 mijë lekë për çdo kategori.

“Pra, sot paga e drejtuesit madhor është 139 375 lekë dhe bëhet sot, me 48 125 shtesë mujore, shkon në 187 500 lekë. Për drejtuesin më poshtë drejtuesit madhor shtohet me 24 125 dhe bëhet 137 500, për komisarin shtohen 21 mijë lekë, gjithmonë me të reja, pra 211 mijë lekë në këtë rast dhe shkon 112 500. Për inspektorin e parë shtohet edhe këtu, me 20 445 dhe shkon në 97 500.

Ndërsa për Burgjet, drejtuesi madhor sot e ka 138 375, shkon në 187 500, drejtuesi më poshtë e ka 112 e shkon 137 mijë lekë. Komisari e ka 83 mijë lekë e shkon në 112 mijë lekë dhe inspektori i parë e ka 71 000 lekë e shkon në 97 500 lekë. Këtu futemi në sistemin e krahasueshmërisë me Forcat e Armatosura, që praktikisht balancohet gjithë sistemi i sigurisë në Shqipëri në kushtet që flasim.

Po ashtu, kemi dhe rritjen e pagës për gratë, për punonjësit e PMNZH-ve, nga ku do të përfitojnë 1181 punonjës. Edhe këtu, drejtuesi zjarrfikës shkon në 125 mijë, inspektori zjarrfikës shkon në 90 mijë, zjarrfikësi shkon në 80 mijë dhe asistent zjarrfikësi shkon në 75 mijë. Të gjitha këto rritje janë rritje mesatarisht prej 20 mijë lekësh të reja në muaj”, tha Rama.

Nga Akademia e Sigurisë, kryeministri Rama shpjegoi se rritja e pagave do të realizohet në dy hapa, në harkun e një viti, nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve.

“Është, në fakt, rritja më e madhe historike e pagave si rezultat të krijimit të një mundësie për ta përballuar këtë dhe me këtë rast dua t’iu them të gjithëve që punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, oficerët në të gjithë sistemet e sigurisë, përfshirë edhe sistemin e Burgjeve, patjetër që kanë merituar më shumë dhe patjetër që meritojnë më shumë dhe kjo është vetëdija jonë.

Në vitin e parë, pra rritja e menjëhershme e pagës për ju që jeni në këtë sistem nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve do jetë pak a shumë si vijon.

Pastaj vazhdojmë me vitin e dytë, pra, me hapin e dytë po themi, brenda një viti, për të gjitha kategoritë e mësipërme që kanë një rritje tjetër dhe në finale rritja në vlerë e pagës për të gjithë sistemin përsëri do jetë sipas kategorive, nga 49 125 deri në 16 500. Pra niveli i ulët do të rritet me 165 mijë lekë në muaj”, tha Rama.

Kryeministri tha se në fund pagat në Shqipëri do të jenë të krahasueshme me rajonin.

“Në finale besoj që do kemi paga dinjitoze, komplet të krahasueshme me rajonin. Jam i bindur që do të motivoheni më shumë”, tha Rama.

Të pranishëm ishin edhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, të cilët folën për transformimet në Policinë e Shtetit dhe Policinë e Burgjeve.

“Policia e Shtetit ka pësuar transformime të rëndësishme në këto 8-9 vitet e fundit, sidomos nga pikëpamja e infrastrukturës, e rinovimit të trupës, e trajnimeve dhe së fundmi po pëson një ndryshim rrënjësor nga pikëpamja e ristrukturimit”, tha Çuçi

“Filluam me pagat e reja në policinë e burgjeve. Tashmë edhe këtu nuk ka asnjë dallim mes kolegëve në Policinë e Shtetit dhe në Policinë e Burgjeve, është i njëjti trajtim për funksion dhe vështirësi, Sigurisht që dhe për pagat që u rritën në vitin 2022, ne nuk do të ndalojmë këtu”, tha Manja.

/rtsh.al/