Rritja e pagave ka qenë një temë tjetër që kryeministri, Edi Rama, e ka prekur gjatë takimit elektoral me zgjedhësit në Kukës, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Sipas tij, nuk ka shtyrje të vendimit, pasi edhe nëse rritja e pagave bëhet në qershor, shtesa do të merret që nga muaji prill e në vazhdim.
Për herë të parë kreu i qeverisë ka zbuluar edhe një arsye, sipas së cilës, nisur nga fakti që ligji duhet të kalojë në Kuvend, ka rezistencë nga deputetët, pasi edhe ata kërkojnë rritje page, gjë që ka sjellë si pasojë edhe vonesa në miratimin e ligjit.
“Unë kam pasur një debat sepse për gjithë të tjerat, për rritjen e pagave të tjera, duhet të bëhet ligji në parlament. Unë kam pasur një debat. Ligji është në parlament. Qeverisë dhe deputetëve do t’iu rriten pagat të fundit fare, domethënë vitin tjetër kur të mbarojë rritja për të gjithë edhe deputetëve edhe qeverisë le t’u rriten pagat. Deputetët duan t’i rrisin tani dhe është bllokuar për disa javë kjo punë sepse duhet të më bindin mua ose pastaj nuk e di çfarë do të ndodhë, por kjo është arsyeja.“– tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se nuk ka patur asnjë shtyrje të vendimit, pasi pavarësisht vonesave në parlament, ligji për rritjen e pagave do të hyjë në fuqi në muajin prill.
“Dalin e thonë se e shtyu Rama ngritjen e pagave. Nuk kam shtyrë asgjë. Pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të sigurisë janë rritur dhe të prillit ata do i marrin tani në fillim të majit. Të gjithë duhet ta dinë që edhe nëse rritja e pagave bëhet në maj, edhe nëse rritja e pagave bëhet në qershor, të gjitha pagat do t’i marrin me gjithë prillin dhe me gjithë majin. Këtë po e them këtu. Merreni, regjistrojeni, kështu që asnjëri s’duhet të ketë asnjë shqetësim. Thjesht, halli është që deputetët duan të rrisin pagat e veta tani. Unë them jo, deputetët dhe qeveria duhet t’i rrisin vitin tjetër. Ky është i vetmi problem. Po këtë punë e di Pandi, që është në krahun e deputetëve. Safeti thotë rritjani. Të shohim. Kjo është arsyeja, s’ka asnjë arsye tjetër.“– nënvizoi kreu i qeverisë.
/rtsh.al/