Ballina Lajme Rritet konsumi i kokainës në Tiranë, zonat në kryeqytet ku përdoret më...

Rritet konsumi i kokainës në Tiranë, zonat në kryeqytet ku përdoret më shumë

1

Droga është kthyer në një fenomen shumë të përhapur sidomos në kryeqytet. Në 3 muajt e parë të këtij viti, në Tiranë janë arrestuar dhe proceduar penalisht 450 persona të përfshirë në shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike.

63 prej tyre janë kapur në operacione të zhvilluara me përgjime dhe blerje të stimuluara. Në kërkim policia ka shpallur 10 persona, të përfshirë në shitjen e drogës. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë kapur me sasi të vogla lënde narkotike.

Hetuesit kanë zbuluar se furnizuesit e drogës, që në shumicën e rasteve janë të paidentifikuar, rekrutojnë shpërndarës të moshave të reja, e sidomos edhe ata që janë përdorues droge.

Grupmosha mesatare sipas policisë, është 20 deri te 30 vjeç. Por, në jo pak raste ka rezultuar se shpërndarësisit janë nën 18 vjeç. Pasi janë ndaluar nga uniformat blu janë justifikuar me argumentin se janë përdorues. E në këtë mënyrë, disa prej tyre janë proceduar në gjendje të lirë.

Kokaina është droga që në këto 3 muaj zë peshën më të madhe të shitjes në treg. Kryesisht ajo është shpërndarë në lokalet e natës, në ish-bllok, Komuna e Parisit, dhe në zonën e Tiranës së Re.

Veç kokainës, rritje ka pasur edhe shpërndarja e heroinës në kryeqytet, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Pak ditë më parë, me 41 kg heroinë u arrestua Armando Papa, 31-vjeçar.

Ndërsa dy javë më parë, Policia e Tiranës goditi 4 grupe kriminale të shitjes së kokainës, heroinës dhe kanabisit duke arrestuar 20 persona dhe 4 të tjerë i shpallën në kërkim. Lënda narkotike shitej në disa zona të ndryshme të kryeqytetit, dhe në afërsi të shkollave./Abcnews/