3 mujori i parë i vitit 2023, Janar-Mars, ka shënuar një rritje të ardhurave në buxhetin e shtetit me 11.7 % ose 16.2 miliardë lekë në total.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se kjo rritje ishte 3.67 miliardë lekë më e lartë nga sa ishin parashikimet fillestare. Në rritjen e të ardhurave ndikoi rritja e tatimit mbi fitimin duke shënuar një rritje prej 22.5 % por edhe nga rritja e çmimeve dhe aktivitete ekonomike.
“Të ardhurat janë rritur me ritme të përshpejtuara gjatë 3 mujorit të parë në total u rritën me 16.2 mld Lekë, ose 11.7 %, ose 3.67 mld lekë më shumë nga sa ishte planifikuar. Të ardhurat janë ndikuar nga rritja e çmimeve por edhe nga aktivitetet ekonomike. Të ardhurat janë rritur 16.7 % për tatimin mbi vlerën e shtuar që e analizojmë për të kuptuar ecurinë e 3 mujorit të parët të ekonomisë.
Kemi pasur rritje të tatimit mbi fitimin me 22.5 % , një tjetër shifër që tregon ecurinë e mirë ekonomike. Tatimi mbi të ardhurat është rritur me 9.5 %, kontributet e sigurimeve shoqërore rriten me 14.5 % dhe në fund të muajit mars është derdhur edhe kontributi për taksën e jashtëzakonshme që kap vlerën prej 4.1 mld lekë”, tha Ibrahimaj gjatë një konference mbi treguesit e ekonomisë gjatë 3-mujorit të parë të vitit.
Lidhur me inflacionin, ministrja tha se ajo vijon te jetë më e ulëta në rajon dhe se mesatarja e BE-së. Ibrahimaj tha se në muajin mars inflacioni shënoi 5.3 %, ku ka ndikuar kursi i këmbimit për shkak të rënies së euros.
“Nga piku i tetorit inflacioni në Shqipëri ka pasur ngadalësim, ku gjatë muajit mars shënon 5.3 %, ndërsa mesatarja e 3 mujorit të parë ishte 6.5 %. Treguesit e inflacionit karahasimisht me vendet e rajonit kanë qenë ndjeshëm më të ulëta, që për inflacionin total dhe atë të ushqimeve dhe pijeve.
Shifrat e Shqipërisë kanë qenë më të ulëta se rajoni dhe mesatarja e BE. Inflacioni i ushqimit dhe pijeve joalkoolike ka qenë 12.6 % në vend, ndërsa në BE ka qenë 18.8 %. Në këtë nivel inflacioni ka ndikuar kryesisht kursi i këmbimit, ku gjatë vitit të kaluar ku leku ka pasur një vlerësim kundrejt euros, që është monedha kryesore e shkëmbimeve tregtare të vendit”, tha Ibrahimaj.
Ulje ka shënuar edhe borxhi publik, ku ministrja Ibrahimaj tha se dhe kjo vlen si rezultat i forcimit të lekut kundrejt euros.
“Në 3 e parë, borxhi ndaj PBB ishte 63.27% të PBB nga 64.58% që ishte në fund të vitit 2022. Këtu dua theksoj dhe peshën e kursit të këmbimit. Borxhi është identifikuar dhe marrë në euro, kursi euros ka sjell dhe një rënie të borxhit publik”, tha ministrja.
/rtsh.al/