Në bashkinë e Fierit çdo ditë rritet numri i bizneseve të cilat operojnë me një cikël të mbyllur prodhimi si në prodhimet bujqësore përpunimin e vajit, rrushit apo dhe të konservimit të prodhimeve, ashtu dhe në drejtim të blegtorisë në gjedhë dhe në derra. Një prej rasteve model në këtë drejtim është ferma e mbarështimit të dosave dhe rritjes së gicave “Allidagu” në Levan. Kjo sipërmarrje e drejtuar nga Myrteris Alliaj, ka krijuar një cikël të plotë prodhimi, nga fekondimi, rritja, therja dhe shitja në treg.
Gjatë vizitës së drejtuesit të qarkut Taulant Balla dhe kryebashkiaku Armando Subashi është treguar rreth evolucionit të këtij biznesi dikur në mbarështimin e deleve dhe sot atë të derrave një biznes fitimprurës. Aktualisht ai mbarështon një numër të konsiderueshëm dosash dhe gicash të cilët shkojnë deri në 6500 gica në këtë fermë. Kjo fermë ka pikën e saj të përpunimit të drithërave dhe produkteve të tjera vitaminoze për ushqimin e derrave duke pohuar faktin që ky biznes po grumbullon drithin nga zona të ndryshme të bashkisë, por edhe më gjerë.
Në këtë drejtim është përgëzuar iniciativa e kryetarit të bashkisë së Fierit Armando Subashi për ngritjen e një pike të grumbullimit të drithërave në nëntë mijë tonë kapacitet, në gjashtë sillosa me 1500 tonë secili prej tyre. Nga ana e tij Balla ka vlerësuar këto iniciativa të biznesmenëve fierakë me synimin për të zvogëluar sasinë e importove të produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Në këtë fermë ka një cikël të mbyllur në drejtim të therjes, por edhe përpunimit të sallamerisë një produkt bio dhe i konsumueshëm për të gjitha grupmoshat. Por kujdes i kushtohet dhe mbajtjes pastër të mjedisit duke bashkëpunuar me një tjetër kompani që largon çdo ditë të gjitha mjetet shtazore që mbeten nga therjet apo përpunimi i mishit./Tv Kombi/