Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Partia Demokratike për çregjistrimin e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Mallakastër, Qerim Ismailaj, me arsyetim se ai nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Ky vendim vjen pasi Partia Demokratike më herët ankimoi në KAS regjistrimin e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Mallakastër, Qerim Ismailaj.
Ishte deputeti demokrat Gazment Bardhi që përmes një shkresë zyrtare drejtuar KQZ i kërkoi të ndalojë rikandidimin për zgjedhjet e 14 majit, të kryebashkiakut të Mallakastrës. Sipas Bardhit, Qerim Ismailaj është dënuar nga Gjykata e Posaçme për falsifikim.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, pas verifikimeve të veta, arriti në përfundimin se kandidati Qerim Ismailaj nuk rezulton të ketë asnjë pengesë për kandidimin e tij për Bashkinë e Mallakastrës. Mirëpo, Bardhi tha se kandidati i Partisë Socialiste është në kushtet e ndalimit për të rikandiduar, pasi Gjykata e Posaçme e ka dënuar atë me gjashtë muaj burg. Më pas është pranuar gjykimi i shkurtuar dhe është ulur 1/3 e dënimit.
Fshehja në formularin e dekriminalizimit të një dënim prej tre vjetësh në Greqi për akte dhune ka qënë arsyeja pse Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me gjashtë muaj burgim Qerim Ismailajn në shkurt të këtij viti për falsifikim të dokumenteve.
Bardhi në ankimimi e tij thekson se situata juridike e shtetasit Qerim Ismail Ismailaj bie në kushtet e ndalimit të parashikuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe më konkretisht të neneve 2 dhe 4 të tij sepse: (i) me Vendimin Nr.11 i datës 02.02.2023 të GJKKO i pandehuri Qerim Ismailaj është dënuar me vendim të formës së prerë me 6 muaj burgim sipas pikës 1 të këtij vendimi, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal. Siç shihet dhe nga vendimi i gjykatës kjo vepër kryehet vetëm me dashje dhe në këto kushte ky shtetas ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar; (ii) vendimi gjyqësor është dhënë nga një autoritet shqiptar; (iii) vendimi është i formës së prerë duke nisur nga data 29 mars 2023; (iv) periudha e rehabilitimi prej 2 vjetësh nuk është ezauruar dhe sipas ligjit skadon në 29 mars 2025″, thuhet në ankimim që deputeti Gazment Bardhi ka bërë ndaj figurës së Qerim Ismailaj, aktualisht kryetar i bashkisë së Mallakastrës.