Ballina Rajoni Rrëmbimi i policëve/ Heshtje ndëshkuese e SHBA dhe BE për Albin Kurtin

Rrëmbimi i policëve/ Heshtje ndëshkuese e SHBA dhe BE për Albin Kurtin

2

Kanë kaluar 24 orë nga rrëmbimi i policëve në brendësi të territorit të Kosovës dhe ndërkombëtarët nuk kanë thënë ende asnjë fjalë. Çfarë ndodhi në mesditën e së mërkurës, jo vetëm se nuk është dënuar si rrëmbim por as është komentuar, qoftë edhe si incident nga ambasadorët në Prishtinë apo Beograd dhe as nga zyrtarë të lartë të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Europian.

Ndërkombëtarët nuk i janë përgjigjur as kërkesës direkte të Albin Kurtit që u kërkoi në një konferencë reagimin e menjëhershëm të tyre. Ata nuk bënë komente as kur ai vendosi bllokimin e mjeteve të Serbisë në kufirin me Kosovën duke e përshkallëzuar më tej tensionin.

I vetmi reagim ka qenë nga KFOR që tha se ka nisur hetimet për ngjarjen.

Në fakt, Kurti sot hodhi dyshime për rolin e misionit të NATO-s në Kosovë, kur tha se ishte i habitur që KFOR-i ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me vendin ku ka ndodhur ngjarja.

“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti që as të nesërmen, me këtë të vërtetë që ne po e shpalosim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarje e cila nuk ishte në mbrëmje por në mesditë, KFOR-i nuk del me një shpjegim zyrtar se ku është ky vend, ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i, mirëpo heshtja e tyre nuk i kontribuon as deskalimit, as hetimit, as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Mund të jetë shkelje e Rezolutës 1244, por është komandanti i KFOR-it për çdo deklaratë e përmend Rezolutën 1244, sepse e ka shpeshtuar përmendjen e saj”, ka shtuar Kurti.

Ndërsa heshtja nga SHBA është e plotë, nga Bashkimi Europian ka pasur një koment të thatë nga zëdhënësi Peter Stano.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht” ka thënë ai.

Kjo është hera e parë që ambasadorë apo zyrtarë të lartë të SHBA dhe BE nuk ndërhyjnë në fërkime të tilla mes Kosovës dhe Serbisë.
Indiferenca duket më shumë një hakmarrje, një përgjigje për vështirësitë që u ka nxjerrë Kurti në negociatat për asosacionin e komunave serbe. Disa ditë më parë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e quajti Kurtin partner. “Nganjëherë është partner i vështirë, por ai është partner” ishin fjalët e tij.

Por nga sa ka ndodhur orët e fundit, shumë qëndrime janë vënë në dyshim. Tashmë më të vërteta duken fjalët e Kris Hill, ambasadorit të SHBA në Beograd. Kur foli për Albin Kurtin ai u shpreh: “Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner”.

Edhe sot në konferencë, Albin Kurti e vuri në dukje këtë indiferencë të ndërkombëtarëve. Ai tha se është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, një ditë pasi rrëmbyen tre policë kufitarë në veri.

“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të enjten.

Kosova është nën presionin ndërkombëtar për të pranuar asosacionin e komunave serbe në veri, por qeveria Kurti e ka shtyrë këtë vendim, duke kërkuar më parë tërheqjen e bandave nga veriu dhe mbajtjen e zgjedhjeve atje. Vendimet për asosacionin në këtë moment po shihen nga ndërkombëtarët si një shpërblim për Serbinë, që kjo të ndryshojë qëndrim ndaj luftës Rusi-Ukrainë.