Një urdhër ndërministror është nxjerrë nga qeveria shqiptare dhe synon të përcaktojë rregulla të reja për mbledhjen e të dhënave mbi shtetasit e huaj që gjenden dhe vijnë në vendin tonë.
Urdhri i përbashkët i firmosur nga Ministria e Brendshme, ajo e Jashtme dhe ajo e Financave, sanksionon përpunimin, evidentimin dhe fshirjen e të dhënave personale për të huajt që gjenden ose vijnë në Shqipëri.
Të dhënat personale të shtetasve të huaj, të cilët janë pajisur me vizë, me leje qëndrimi, leje unike ose rezultojnë të parregullt në Republikën e Shqipërisë, në bazë të këtij urdhri, do të mblidhen dhe administrohen nga autoritetet shtetërore përgjegjëse për trajtimin e të huajve: Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe drejtoritë vendore për kufirin dhe migracionin, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit; Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/drejtoritë rajonale të AKPA-s, Ministria për Financat dhe Ekonominë; Drejtoria e Çështjeve Konsullore, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Sipas urdhrit, autoritetet përgjegjëse shtetërore mbledhin dhe administrojnë nga organet shtetërore, subjektet private, shtetas shqiptarë apo të huaj, të dhëna personale për të huajt vetëm në funksion të procedurave të pajisjes me vizë, pajisjes me leje qëndrimi dhe leje unike, procedurave të miratimit për punësim dhe deklarimit për punësim.
Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale të shtetasve të huaj, do të kryhet vetëm nga personat e autorizuar në autoritetet përgjegjëse.
Sipas urdhrit, çdo person i autorizuar për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe ata që kanë akses në këto të dhëna për shkak të detyrës, është i detyruar të ruajë konfidencialitetin e këtyre të dhënave.
Urdhri parashikon se të dhënat duhet të mbahen dhe të arkivohen në formë shkresore dhe elektronike, dokumentacioni i të cilave do të ruhet nga autoriteteti shtetërore përgjegjëse, sipas afateve:
a) për një periudhë 5-vjeçare pas skadimit të vlefshmërisë së vizës ose të lejes së përkohshme të qëndrimit;
b) për një periudhë 10-vjeçare nga përfundimi i procedurës ndëshkuese administrative ose penale;
c) për personat e shpallur si të padëshiruar për një periudhë më shumë se 10 vjet, afat i ruajtjes së të dhënave është i njëjtë me atë të përcaktuar në urdhrin me të cilin i huaji është shpallur person i padëshiruar.