Ballina Lajme “Rithemelimi” i PD-së do të hyjë si koalicion në zgjedhjet vendore të...

“Rithemelimi” i PD-së do të hyjë si koalicion në zgjedhjet vendore të 14 majit

1

“Rithemelimi” i PD-së, i drejtuar nga Sali Berisha, do të hyjë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, me koalicion.

Ky është vendimi që mori të dielën në mbremje Këshilli Kombëtar i “Rithemelimit”, pas disa debateve nëse do të ishte më mirë që në zgjedhje të hyhej me koalicion, apo që kandidatët e “Rithemelimit” të hynin si të pavarur, nëpërmjet mbledhjes së 1000 firmave që duhen minimalisht për t’u regjistruar në KQZ.

Vendimi erdhi pasi Gjykata e Apelit ktheu për rigjykim në themel çështjen për legjitimitetin e drejtimit të PD-së.

Nga ana tjetër, vendimi duket se është marrë me shpejtësi, pasi nesër është afati i fundit që partitë politike të regjistrohen në KQZ, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, partitë politike në zgjedhet vendore regjistrohen 70 ditë përpara datës së zhvillimit të zgjedhjeve.

Hyrja në zgjedhje nëpërmjet koalicionit është e njëjta formulë që Berisha dhe “Rithemelimi”, zbatuan në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, duke qenë në koalicion me Ilir Metën dhe Nard Ndokën.

Mësohet se gjatë bisedimeve të nesërme edhe me subjekte të tjera politike, do të tentohet  që ky koalcion të zgjerohet.

Paloka: Nuk bojkotojmë, hyjmë në zgjedhje si koalcion  

Lidhur me vendimin, komentoi edhe Edi Paloka, nënkryetar i PD-së së “Rithemelimit”. Sipas tij, nuk pati në asnjë nga diskutimet, ide apo propozime, që të mos hyhej në zgjedhje.  Paloka nënvizoi se PD do të hyjë në zgjedhje me bindje se do të fitojmë.

“Pati ide për kombinim koalicioni dhe diku tjetër nëpërmjet një kandidati të pavarur. Këshilli vendosi që do të hyhej me koalicion. Kjo parti do të hyjë në zgjedhje për t‘i fituar ato. Janë disa parti me të cilat kemi marrëveshje. Janë teknikalitete që do të zgjidhen dhe nga kryesia. PL, Partia e të Drejtave të Njeriut dhe parti të tjera do të jenë pjesë e koalicionit. Emri i koalicionit akoma nuk është vendosur. Por që nesër do të regjistrohemi si koalicion.”- deklaroi Paloka.

/rtsh.al/