36 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, AMP dhe Gardës së Republikës, do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen Vettingut, proces ky i stopuar prej më shumë se një viti.
Për këtë qëllim Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zhvilloi procedurën e hedhjes së shortit të parë për vlerësimin kalimtar dhe periodik.
Mes të përzgjedhurve kishte drejtues të drejtorive qëndrore në Policinë e Shtetit, drejtorive në rrethe si funksionarë të lartë të AMP dhe të Gardës së Republikës.
Për të ndjekur këtë proces të pranishëm ishin ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, si edhe trupat vlerësuese.
Këta të fundit do të kryejnë vlerësimin e gjithësecilit prej drejtuesve që do kalojë në skaner bazuar në tre shtylla, konkretisht pastërtia e figurës, pasuria dhe aftësitë profesionale.
Me ndryshimet e reja në ligjin për Vettingun, këtij procesi pritet ti nënshtrohen rreth 300 efektivë, që mbajnë poste drejtuese në Policinë e Shtetit.
Më parë nën efektet e ligjit për vlerësimin kalimtar të miratuar në 2019, u vetuan 37 drejtues të lartë të policisë, nga të cilët 35 prej tyre u konfirmuan në detyrë.
Tv Klan