Ballina Lajme Rezultati i Bashkisë Belsh u kundërshtua nga koalicioni “BF”, pas rinumërimit të...

Rezultati i Bashkisë Belsh u kundërshtua nga koalicioni “BF”, pas rinumërimit të votave, KAS shpall fitues Arif Tafanin e PS-së

0

Arif Tafani, kandidat i propozuar nga PS-ja, do të jetë kryetar i Bashkisë Belsh. Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve pasi shqyrtoi kërkesën ankimore, depozituar nga koalicionit “Bashkë Fitojmë”, me objekt rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Belsh, pas këtij procesi, nga këqyrja e fletëve të votimit për 40 QV-të e Bashkisë Belsh rezultoi se kandidati i propozuar nga PS-ja, Arif Tafani kishte 4564 vota dhe kandidati i propozuar nga koalicioni “Bashë Fitojmë”, Bedri Qypi 4515 vota.

Nisur nga ky rezultat i dalë nga procesi i rinumërimit, Tafani do të jetë tashmë kreu i Bashkisë Belsh. KAS, me vendim të ndërmjetëm, vendosi miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve (TPR) për kryetarin e bashkisë Belsh, sipas vlerësimit që u bë në KQZ në seancën e shqyrtimit nga KAS.

Në përfundim të shqyrtimit, me shumicë votash KAS pranoi pjesërisht kërkesën dhe vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Belsh, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”, si dhe rrëzoi kërkesën e ankuesit për mospërfshirjen në TPR, rezultatin e zgjedhjeve të Qendrës së Votimit nr. 2565/01, IEVP Burgu Kosovë.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkonte pavlefshmëri për zgjedhjet e zhvilluara në QV nr. 2565/01 IEVP, Burgu Kosovë, të zonës zgjedhore Bashkia Belsh, si dhe ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkia Belsh, duke mos përfshirë rezultatin e QV me nr. 2565/01 IEVP Burgu Kosovë.

/rtsh.al/ a.m/