Ballina Lajme Reshjet e shiut vazhdojnë të gjunjëzojnë Lezhën, toka të përmbytura e banesa...

Reshjet e shiut vazhdojnë të gjunjëzojnë Lezhën, toka të përmbytura e banesa nën ujë

1

Reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të lartë dhe pa ndërprerje në qarkun e Lezhës. Kjo ka sjellë vetëm përkeqësimin e situatës së përmbytjeve. Në njësinë administrative Dajç, vijon të jetë e njëjtë si pasojë e rreshjeve të rëna gjatë 24 orëve. 500 hektarë sipërfaqe toke vazhdon të jetë e përmbytur në fshatin Torovicë. 800ha janë nën ujë në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht, bashkia Lezhë. Në fshatin Kakarriq ka prezencë uji në 4 banesa, edhe pse niveli po vazhdon të ulet.

Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës. Ndërkohë rruga që lidh fshatin Blinisht-Baqel është e kalueshme plotësisht. Niveli i ujit në rrugën e fshatit Piraj është rritur dhe për pasojë ky aks është i pakalueshëm nga mjetet e vogla. Rruga që lidh fshatin Torovice me fshatin Malecaj, njësia Administrative Balldren, është e pakalueshme për mjetet e vogla.

Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje. Konkretisht  Droje, Shllinza, Tale, Ishull Shëngjin, Grykë Zezë, Gocaj nivelet e ujit janë nën kuota kritike. Hidrovori Balldre ka rreth -1.2 m. Lumi Drin është në kuotën +1.40 m nga +2.0 m kuotë kritike. Lumi Gjader ka kuota të larta, ndërsa lumi Mat ka rritje të kuotave, por të papërfillshme.