Viti 2024 pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme sa i përket strehimit social në vend. Brenda shtatorit Këshilli i Ministrave do ketë gati kuadrin ligjor për krijimin e një regjistri për familjet e pastreha në gjithë territorin.
Përgatitja e Projektvendimit për këtë qëllim i është ngarkuar Ministrisë së Financave. Qëllimi i këtij projektvendimi do jetë krijimi i bazës së të dhënave në nivel kombëtar dhe vendor të strehimit social. Regjistri apo baza e të dhënave do administrohet nga përkatësisht nga Departamenti përkatës në ministrinë përgjegjëse për strehimin, si dhe drejtoritë që mbulojnë çështjet e strehimit nëpër bashki.
Krijimi i këtij regjistri, sipas Këshillit të Ministrave, do bëjë të mundur njohjen e situatës reale dhe hartimin e politikave efektive të cilat u përgjigjen nevojave në nivel vendor. Ministria e Financave ngarkohet që në projhektakt të përcaktojë qartë burimet e marrjes se informacionit, te dhenat qe duhet te permbaje, institucionet qe ngarkohen per kete baze te dhenash, niveli aksesimit, dhe rezultati se cfare do te beje te mundur kjo baze te dhenash.
Ndërkohë që përpara bazës ligjore për krijimin e regjistrit të të pastrehëve në gjithë territorin, Qeveria do të ketë gati një tjetër projektvendim, i cili angazhon sektorin privat në krijimin e fondit të banesave sociale në vend.
Titulli i aktit është “Për përcaktimin e rregullave të zbatimit mbi kontributin e sektorit privat në krijimin e fondit publik të banesave sociale”. Ai ka qëllim përcaktimin e rregullave për mënyrën e zbatimit për krijimin e fondit publik të banesave sociale të përfituar nga kontributi i sektorit privat në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”. Ky fond, i krijuar me kontributin e kompanive private do të jetë në dispozicion të bashkive për mbulimin e nevojave për strehim social.