Një ndërhyje e vështirë dhe e komplikuar është realizuar me sukses në QSUT, ku një vajze të re 35-vjeç i është hequr një masë tumorale e madhe prej 7 cm.
Masa tumorale ishte në mbiveshkoren e majtë, ku i jepte vajzës së re komplikacione të shumta, për shkak të të cilave ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh.
35-vjeçarja fillimisht pësoi një paralizë, ku iu desh që të qëndronte për 2 muaj në reanimacion dhe për një kohë shumë të gjatë e intubuar. Pas rikuperimit, e reja ka pasur probleme të mëdha me hipertensionin që i shkaktonte komplikacione ku dhe u zbulua masa tumorale e madhe prej 7 cm në mbiveshkoren e majtë.
Pas diskutimeve të gjata operacioni u vendos të kryhej në Shqipëri, ku doli me sukses dhe e reja tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe drejt rikuperimit.
“Pacientja është një vajzë e re 35 vjeçare që ka kaluar një kalvar të madh dhe të gjatë vuajtjesh, pasi është paraqitur me paralizë për të cilën ka qenë në 2 muaj në reanimacion dhe për një kohë të gjatë e intubuar dhe më pas ka vajtuar ne spitalin nr.5 për t’u rikuperuar. Në vazhdimësi ka pasur një dhimbje gjoksi të fortë dhe ishte e paqartë që një vajzë në moshë të re të bënte komplikacione të tilla.
Pas vizitave u diagnostikuan me tumor të madh të mbiveshkores së majtë mbi 7 cm që jepte hipertension, që më pas jepte të gjithë këto komplikacionde”, tha Arben Gjata, shef i shërbimit të Kirurgjisë Digjestive në QSUT.
Në trajtimin dhe operimin e 35-vjeçares u angazhua ekipi i pavijonit të Mjekësisë Interne si Prof. Arben Gjata, Prof. Krenar Lila, Prof. Mihal Tase, Prof. Margarita Gjata, Dr.Dritan Reovica, Dr.Ardit Kaçani, Dr. Pranvera Shkëmbi dhe infermieret: Manada Cani, Mirjana Mema, Aida Hajro, Albana Qefalia, të cilët morën edhe falënderimet e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për punën e bërë.