Pak pas fitores së zgjedhjeve në Himarë nga kandidati socialist Vangjel Tavo në krye të Bashkisë së këtij qyteti, ka ardhur dhe reagimi nga Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ka uruar Tavon, duke e konsideruar fitoren e tij për Bashkinë e Himarës, si spektakolare.
Kryeministri shprehu ndërkaq, edhe kënaqësinë për mbëhstetjen që himariotët i dhanë Partisë Socialiste ndërsa përsëriti edhe njëherë vendosmërinë për ta kthyer Himarën në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut.
“MIRËMËNGJES dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer #Himarën2030🇦🇱 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë”, tha Rama.
Në garën për Bashkinë e Himarës, Tavo arriti të siguronte 1.500 vota më shumë se kundërshtari Petraq Gjikuria.
Numërimi i votave përfundoi herët në mëngjes në të 36 qendrat e votimit, të cilat dolën me rezultatin 5.022 vota (58.62%) për Tavon kundrejt 3.545 (41.38%) votave që shkuan për kandidatin opozitar Petraq Gjikuria.
/rtsh.al/