Ballina Lajme Rama takon Presidentin e Azerbajxhanit: Vendosëm piketa të rëndësishme bashkëpunimi

Rama takon Presidentin e Azerbajxhanit: Vendosëm piketa të rëndësishme bashkëpunimi

1

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Azerbajxhan ku është takuar dhe me presidentin Ilham Aliyev. Në fokus të takimit mes dy liderëve ka qenë bilanci i ecurisë së marrëdhënieve mes dy vendeve. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Rama, i cili thekson se gjatë bisedimeve me presidentin azer, u vendosën piketa të rëndësishme bashkëpunimi. Më tej, kreu i qeverisë ka falënderuar Aliyev për dekretin presidencial të çeljes së ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.

“Me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për një bilanc të ecurisë së marrëdhënieve pas vizitës së tij në Shqipëri, ku u vendosën piketa të rëndësishme konkrete bashkëpunimi, si edhe për ta falënderuar për dekretin presidencial të çeljes së ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Më 15 nëntor Presidenti Aliyev zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u prit me ceremoni shtetërore nga kreu i shtetit Bajram Begaj. Gjithashtu Aliyev u takua dhe me kreun e qeverisë, me të cilin bisedoi për projekte të përbashkëta në fushën e energjisë. Vizita e Presidenti Aliyev në Tiranë shënoi një pikë të rëndësishme të marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Azerbajxhan.

/rtsh.al/