Ballina Lajme Rama takohet me Yuri Kim, darkon me ambasadoren e SHBA-së

Rama takohet me Yuri Kim, darkon me ambasadoren e SHBA-së

0

TIRANË- Mbrëmja e sotme në botën e politikës shqiptare do ‘finalizohet’ me një darkë private. Teksa të gjithë janë ‘sy e veshë’ për detaje të reja nga arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos, Rama ka një angazhim tjetër.

Kryeministri do të ketë sonte një darkë private me ambasadoren amerikane, Yuri Kim. Darka do të jetë në orën 21.00 në rezidencën e ambasadës amerikane në Tiranë.

Darka mes Ramës dhe diplomates amerikane zhvillohet pikërisht në ditën kur u arrestua nga SPAK, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i shpallur non grata për korrupsion nga Uashingtoni.

ÇFARË NDODHI SOT?

Ish-kryebashkiaku i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është vetëdorëzuar në SPAK pas urdhër arrestit të lëshuar lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh për një leje ndërtimi të dhënë para 11 vitesh dhe për një tender të vitit 2014-2015 që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 180 milionë lekësh. SPAK ka lëshuar edhe 9 urdhër arreste për 9 ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në korrupsion, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash. Për 6 prej tyre SPAK ka urdhëruar arrest me burg, ndërsa për 3 prej tyre, gra, është lënë në fuqi masa për arrest shtëpie.