“Një llum që nuk i dihen vendit”, kështu i konsideron kryeministri Edi Rama politikanët që flasin keq për Shqipërinë në gjuhë të huaj, duke atakuar kreun e PD-së, Sali Berisha, në lidhje me pasqyrimin e deklaratave të tij në median britanike “Daily Mail” për situatën në vend.
Në një takim me të rinjtë në Kamëz, Rama tha se nuk është lojë politike të thuash në mediat britanike se Shqipëria është vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë.
“Politikanët që flasin keq në gjuhë të huaj, u tremben të vërtetave në kombi e tyre, janë llum, një llum që nuk i duhen as vendit, por si duhen as dreqit. T’u besosh është njëlloj sikur të mbash sytë nga një moçal që mban një erë të keqe. Ne jemi kundër shumë gjërave, por ne nuk mund të ndahemi ndaj një gjëje themelore, që jemi shqiptarë. Dhe kur flasim në gjuhë të huaj nuk duhet të flasim sikur e kemi inat. Të thuash në mediat britanike që Shqipëria është vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Evropë, kjo nuk është lojë politike”, u shpreh Rama.
Teksa takimin me të rinjtë e zhvilloi në parkun e ri të Liqenit të Paskuqanit, Rama tha se Kamza është një nga zonat që ka pësuar transformimin më të madh vitet e fundit, teksa theksoi se një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur nëse në krye do të ishte opozita. Ai i bëri thirrje të rinjve që të shprehin vullnetin e tyre me votë, duke thënë se është gabim të mendosh se në politikë janë të gjithë njësoj.
“Është gabim të mendosh që vota nuk ka asnjë vlerë, asnjë rëndësi se voton apo jo, apo për kë voton dhe sa gabim është të mendosh që të gjithë janë njësoj. Nëse do ishim të gjithë njësoj, edhe pamja këtu do ishte një soj. Një fushë pa ujë, me plehra dhe ferra, ndërtesa që nuk duhej të ishin aty, siç plot ndërtesa nuk duhej të ishin në lum. Jo vetëm që të gjithë nuk janë njësoj, por ka rëndësi pozicionimi i çdo qytetari në një sistem demokratik. Nuk je qytetar i mirë nëse sheh vetëm punët e tua. Sot në Kamëz është një nga zonat me transformimin më të madh të viteve të fundit, falë faktit që Kamza nga duar të papërgjegjshme, ka kaluar në duar të përgjegjshme. Nga një depozitë votash, thjesht me zemër, por pa sy, pa veshë, pa mendjen aty, ka kaluar në një zonë ku respektohet secili”, tha Rama.