Podcast-in e radhës “Flasim”, kryeministri Edi Rama e ka zhvilluar me kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, e cila gjatë ushtrimit të detyrës është përballur me tërmetin dhe pandeminë.
Kjo ka bërë që Rama ta cilësojë Sakon si “kryebashkiakja e tërmetit”, ndërsa pyetjet ndaj saj kanë qenë si në sferën profesionale dhe atë personale si dhe ndryshimet që ka pësuar Durrësi në këto vite.
Për Sakon Durrësi ka gjithmonë nevojë për përmirësim edhe pse është bërë një qytet më modern, duke pritur më shumë turistë dhe përmirësuar shërbimet ndaj qytetarët.
“ Durrësi ka pësuar një transformim të vazhdueshëm në këtë 20 vjeçar, është një qytet, i cili është bërë më modern, më i hapur, ka një rritje të madhe të numrit të turistëve, shkon çdo vit në rritje dhe kjo patjetër ndikon tek shërbimet, tek cilësia e shërbimeve që jep sektori i biznesit, por unë gjatë punës time jam përpjekur të merrem me, ato punët e shtëpisë siç quhen; pra, pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi, pra i kam dhënë një prioritet shumë të madh.
Sot, patjetër që Durrësi është një qytet më i pastër, këtë e thonë të gjithë banorët e tij. Nuk mund të them që jam e kënaqur nga puna; nga puna ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar dhe për të bërë më shumë, por edhe me projektet madhore që ne kemi së bashku, mendojmë që do t’i japim një vend të ri të qytetit tonë, jo vetëm në rolin që ka në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar”, tha Sako.
Emirjana Sako ka kujtuar edhe komunikimin e parë me kryeministrin Rama, ku tha se ka qenë periudhë pandemie. “Merr një krevat dhe fli në bashki tani” kujton Sako t’i ketë thënë kryeministri, ndërsa kujton periudhën e tërmetit dhe pandemisë.
“Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë”, tha Sako.
Sako ka folur edhe për vështirësitë që ka hasur në punë, sidomos në fillimet e saj si kryetare e bashkisë. Megjithatë zgjidhje për të ka qenë gjithmonë fokusi te puna.
“Ka pasur momente që kam qenë në vështirësi sepse situata kur unë fillova detyrën ishe më e vështirë sesa e kisha menduar, por ajo që i kam thënë vetës është “Ani bëj punën sepse çdo gjë do gjejë vendin e vet”. Kështu që, për mua, veriu i drejtimit është vetëm puna. Kjo pastaj është, pra duke bërë punën, ke mbështetjen e njerëzve”, tha Sako.
I pyetur nga kryeministri se “e lënë pa gjumë” presioni i opinionit, Sako tha se varet “në qoftë se ka një presion të pabazuar, zero, pra një media apo një.. pra që thonë fakte, të cilat unë jam shumë e qetë që nuk qëndrojnë. Presione nga grupet e interesit përpiqen që t’i dëgjoj se mbase ka grupe interesi, të cilët kanë të drejtë në atë që kërkojnë dhe përpiqem që të kem aftësinë e adaptimit të mendjes me zgjidhje”.