Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në mbledhjen e kësaj të enjte (1 dhjetor) të Këshillit të Ministrave është marrë vendimi se nga dita e premte do të fillojë lëvrimi i bonusit i fundvitit prej 5 mijë lekësh për pensionistët. Po ashtu, Rama sqaroi se pensionistët me pensione invaliditeti do të marrin 11 mijë lekë për fundvit.
“Kemi marrë një vendim të cilin ua kemi ccuar pensionistëve dhe sot falë këtij vendimi duke filluar nga nesër fillon lëvrimi i bonusit të fundvitit për të gjithë 695 101 pensionistë prej 5 mijë lekësh të reja edhe pse kemi pasur vështirësi të posaçme këtë vit, vështirësi që dihen, përsëri për ne ka qenë e padiskutueshme që jo vetëm për pensionistët por dhe për 66 mijë te tjerë që kanë pensione invaliditeti përfaqësues të të cilëve kemi pasur dhe një dialog intensiv në nivelin e ministrisë së financave. Do akordojmë plus 6 mijë lekë të tjera të reja që shkojnë 110 mijë lekë të vjetra për këta pensionistë si kompensim i merituar.
Po ashtu do mbështesim dhe 64 mijë familje me ndihmë ekonomike për të cilat kemi pasur disa rritje të ndihmës por gjithsesi mbeten në vëmendje për tu mbështetur edhe me bonusin e fundvitit. Si dhe për kategorinë e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve. Në total është një paketë prej 4.3 mld lekë të reja rreth 40 milionë dollarë që vihet në dispozicion të këtyre kategorive”, tha Rama.
Kryeministri bëri me dije gjithashtu se nga janari i 2023 qeveria do paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për nënat me 3 fëmijë të mitur.
“Nga janari i vitit të ardhshëm do fillojë aplikimi i një tjetër mase të konsultuar me publikun për nënat e papunë me 3 fëmijë të mitur të cilave qeveria do u paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, njësoj sikur të ishin në punë”, tha Rama.