Ballina Lajme Politike Rama në ‘Real Story’: Nëse SPAK nuk merret me Gërdecin, 21 janarin,...

Rama në ‘Real Story’: Nëse SPAK nuk merret me Gërdecin, 21 janarin, llogaritë ofshore të Kryemadhit, ne flasim kot! Prokuroria e Tiranës bën sikur nuk sheh provat e reja

1

Kryeministri Edi Rama tha se ka besim te drejtësia e re, por thekson se ky besim shkon kot, për aq kohë sa SPAK nuk merret me aferat më të mëdha siç ai i quan, duke nisur nga Gërdeci, 21 janari, akuzat për llogari ofshore të Monika Kryemadhit. Në emisionin ‘Real Story’ në Report Tv me gazetarin Sokol Balla, Rama tha se Prokuroria e Tiranës po mban prej 10 vitesh ’21 janarin’, duke bërë sikur s’kupton dhe pse dalin prova të reja.

“I shumëzoj me zero nëse për Gërdecin, 21 janari, për grabitjen e hidrocentraleve, për CEZ-DIA, për kontot e kryemadhit, nëse SPAK nuk merret me këto ne flasim kot. Prokuroria e Tiranës po mban prej 10 vitesh ’21 janarin’, duke bërë sikur s’kupton dhe pse dalin prova të reja”, tha Rama.

Duke u ndalur te zgjedhjet e 14 majit, Shkodra është një ndër Bashkitë që mazhoranca synon të fitojë dhe këtu kryeministri Edi Rama e sheh garë të fortë, por jo të pamundur. Për rrjedhojë, Rama ka sqaruar deklaratën e tij se “nuk do të bashkëpunojnë me bashkitë që zgjedhin kandidatë të opozitës”. Ai tha se ajo është një retorikë politike, jo kërcënim, por shtoi se bashkëpunimi bëhet i pamundur. E për këtë solli si shembull disa projekte që tha se nuk po i realizon, për shkak se Bashkia e Shkodrës së Bardh Spahisë, po i refuzon.

“Deklarata është politike, në funksion të përshkallëzimit të luftë politike në Tiranë. Që ta kuptojmë, ne kemi prej disa kohësh kompanitë që duhet të fillojnë ujësjellësit në Shkodër, që është më e prapambetura, aty financimi është i qeverisë, projektet janë bërë nga qeveria, kontraktorët janë gati dhe Bashkia nuk na jep lejen e ndërtimit. Ose për shembull, rruga Shëngjin Velipojë, pengohet prej gati një viti për shkak të përgatitjes së dokumentacionit”, shtoi kreu i qeverisë.

Fushatën e ka përqendruar te Sali Berisha dhe Ilir Meta, kjo për 2 arsye. Së pari nuk e njeh PD-në e Enkelejd Alibeaj dhe së dyti ai thotë se kjo ardhur për shkak se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë rrezik dhe një kërcënim për Shqipërinë.

“Pse kush është tjetër në këtë fushatë? Cila PD? E ke seriozisht? Dhe nuk është çështje faktorizimi, unë merrem në parim, jo me ata personalisht, merren me ata se ata janë problem dhe turp për Shqipëri, jo Alibeaj me ata të tjerët, janë fatkeqësi më vete se kanë vulën, por jo të ndenjurat dhe duke mos pasur të ndenjurat, nuk i rrinë dot betejës”, u shpreh në Report Tv, kryeministri Edi Rama.

Kandidatët e “Koalicionit Bashkë Fitojmë”, i ka konsideruar si kukull të dyshes Meta-Berisha duke thënë se “janë gjëja më absurde që ka parë në çdo fushatë.