“Shqiptarët nuk mund t’u kthejnë kurrizin aleatëve dhe partnerëve në emër të asgjëje dhe askujt”. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama nga Mati gjatë takimin me qytetarët, ku deklaroi se mbështetësit e ndershëm të së djathtës, duhet të reflektojnë dhe të mos mbahen peng nga e shkuara.
“Ka qenë rrënim, dëshpërim në të gjitha bashkitë e Shqipërisë edhe në ato bashki ku drejtonin socialistët, ishte situatë shumë e rëndë sepse ata të cilët sot rikthehen këtu dhe kërkojnë vota pa pikën e turpit, edhe kur e kanë pasur qeverinë, asnjë sens zhvillimi të qyteteve dhe komuniteteve. I kanë parë njerëzit si mish për top.
Kanë propaganduar demokracinë si monopolin e tyre, duke trajtuar socialistët si komunistë, dhe për ironin e fatit dhe talljen më të madhe ndaj të gjithë të persekutuarve, në krye kishin një ultra komunist, nga ata që për karrierë dhe ambicien për pushtet ishin gati të bënin çdo gjë dhe të ndërronin fytyrën dhe maskën”, tha Rama. Ky i fundit u shpreh se maska e Sali Berishës është çjerrë nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, ndërsa e konsideroi të pakonceptueshme faktin se ka ende njerëz që i besojnë votën një individi së cilit SHBA i ka vënë kryqin.
“Sot që maska është çjerrë nga aleati më i madh strategjik, SHBA, është bërë maskë e papërdorshme dhe e padëshiruar në gjithë Evropën, është e pakonceptueshme si ka akoma njerëz të ndershëm të cilët i japin besim, votë.
Sot Shqipëria ka një vend në arenën ndërkombëtare, respektohet si një vend me dinjitet dhe partner i barabartë në çdo tryezë në botë, gjë që askush se imagjinonte, merr drejtimin e OSBE, përgatitet të mirëpresë samitin e Berlinit, kur Shqipëria bëhet vendi ku BE del jashtë kufijve të vetë dhe ulet për bashkëpunim me Ballkanin, shqiptarët nuk mund t’u kthejnë kurrizin aleatëve dhe partnerëve në emër të asgjëje dhe askujt. Ata që në emër të së shkuarës mbajnë veten peng, të reflektojnë. Një forcë që drejtohet nga një individ që SHBA i ka vënë kryq”, tha Rama.
/rtsh.al/