Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama, gjatë një takimi me banorë të Gjirokastrës, në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit, ka kërkuar votën për Partinë Socialiste, si e vetmja mënyrë sipas tij që të majtë dhe të djathtët të ecin përpara. Rama tha se ka ardhur koha e kapërcimit të gardhit edhe për ata që nuk janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër.
“Është koha e një kapërcimi të gardhit edhe për ata që janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër të gardhit, në emër të ndarjeve ideologjike, PS-PD. Po bëjmë fushatë krejt ndryshe nga të tjerët, me shumë më pak shpenzime për propagandën elektorale dhe një pjesë e shpenzimeve shkojnë për të mbjellë pemë, tha Rama.
Për Ramën qeverisja e kaluar i ka lënë në harresë qytetarët e këtij vendi ndaj ai i bën thirrje qytetarëve mos t’i votojnë më për të marrë drejtimin e bashkisë.
“Sot jemi këtu sepse ka një akses të ri, më në fund by passi i qytetit është realitet dhe së bashku me parkingun nëntokësor në sheshin e Çërçizit janë dy vepra të reja që do ta lehtësojnë tërësisht zonën historike nga makinat dhe do ta bëjnë shumë më të jetueshme dhe tërheqëse Gjirokastrën për këmbësorët, duke rritur më shumë vlerën e pronës dhe atraksionin turistik të saj.
Do të doja që për një moment të ktheni sytë mbrapa dhe të shihni nga sa larg e kemi nisur punën dhe sa rëndë ishte Gjirokastra kur morën detyrën dhe çfarë braktisje dhe përbuzje pati për këtë qytet në vitet e qeverisjes së atyre që nuk duhet të kenë më asnjë shans jo këtu por askund në Shqipëri, tha Rama.
Rama vlerësoi se Gjirokastra e rilindur sot është transformuar në kartëvizitën më prestigjioze të Shqipërisë turistike.