Kreu i qeverisë, Edi Rama është pritur në 10 Downing Street në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në zyrën e shefit të qeverisë britanike.
Ai u prit nga kryeministri Rishi Sunak, me të cilën diskutoi çështje të ndryshme, ku dominonte ajo mbi emigracionin e paligjshëm.
Në fjalën e tij, Sunak u shpreh se të dyja vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe kthimin e shqiptarëve të burgosur në Shqipëri.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim shumë të fortë dhe synojmë ta mbajmë këtë raport me vizitën tuaj këtu.
Vitin e kaluar ne biseduam për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me këtë.
Por do ta bisedojmë më pas dhe çfarë mund të bëjmë më shumë në kthimin e të burgosurve. Por gjithashtu ka edhe shumë për raportet tona për të cilat duhet të flasim, për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë dhe sigurinë, veçanërisht mbi sigurinë nga sulmet kibernetike”, u shpreh Sunak.
Ndërkaq, në fjalën e tij, Rama vuri në dukje se jo të gjithë shqiptarët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar janë trafikantë. Ndërsa nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit për të goditur trafikantët dhe që njerëzit e pafajshëm mos të bien pre grupeve kriminale.
“Siç e dini kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në këtë godinë historike. Është një moment i veçantë në bashkëpunimin tonë.
Siç e thatë edhe ju, ne jemi duke bashkuar forcat me vullnet dhe bindje të plotë se duhet të bëjmë të pamundurën për të goditur rrjetet kriminale. Gjithashtu, të shmangim përfshirjen e njerëzve të pafajshëm apo që të bien pre e këtyre rrjeteve.
Në të njëjtën kohë, ju falënderoj sepse është një mundësi të nënvizoj që jo të gjithë britanikët janë James Bond apo Mr. Bean. Dhe jo të gjithë shqiptarët janë si personazhet e filmit “Taken” .
Djemtë që vijnë me gomone nuk janë thjesht shqiptarë por janë pjesë e gjithë panoramës së madhe”, theksoi Rama.
Rama solli shembullin e këngëtares së njohur, Dua Lipa që sipas kryeministrit shpreh simbolikën e shumë shqiptarëve që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe për të kërkuar një jetë më të mirë.
“Dua Lipa nuk është thjesht këngëtare britanike, por është edhe një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu, siç kanë ardhur këtu shumë të tjerë për të ndërtuar, për të gatuar, për të shërbyer si infermierë, apo për të kënduar.
Duam që t’ju sigurojmë se ky komunitet ndihet jo vetëm i sigurt por edhe i nderuar këtu. Dhe mollët e kalbura janë në objektivin tonë të përbashkët për të mos e fituar këtë betejë.
Siç e thatë edhe ju, ne kemi interesin për të forcuar bashkëpunimin dhe duam të bëjmë më të mirën së bashku. Dhe dua t’ju ftoj për një vizitë në Tiranë sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë që në kohën e Winston Churchill”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/