Ballina Lajme Politike Rama: Këlliçi po keqpërdoret nga Berisha dhe Meta. Dyshja, shqetësim për SHBA-të...

Rama: Këlliçi po keqpërdoret nga Berisha dhe Meta. Dyshja, shqetësim për SHBA-të dhe BE-në

1

Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjestin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, të vendosur në posterin e rrugëve të kryeqytetit me dy gishtat e mesit të ngritur lart.

Sipas Ramës, nuk është problem një gjest i tillë por se si Belind Këlliçi po përdoret nga Berisha dhe Meta duke e hedhur në fushën e tyre të betejës.

“Nuk kam asnjë koment sepse është humbje kohe dhe është një lloj ofendimi për votuesit që të merren në konsideratë dhe të trajtohen individë të cilët përtej të gjithave, përtej dëftesave të shkollës që iu mungojnë, përtej gishtave të mesit që i ngatërrojnë me nuk e di se çfarë, me cilin mision.

Këto janë gjëra që nuk më bëjnë përshtypje sepse këta njerëz kanë një problem shumë më të madh, shumë më të madh, këta njerëz janë vënë në dispozicion si parfum për zorrën qorre, si maska për zorrën qorre, si kukulla për zorrën qorre”, u shpreh Rama në një prononcim për gazetarët.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Berisha dhe Meta janë shndërruar në një shqetësim për vendin dhe partnerët ndërkombëtarë. Në këtë rast sipas tij, Belind Këlliçi po keqpërdoret nga Berisha dhe Meta.

“Dhe jo për një zorrë qorre që thjesht përfaqëson një alternativë të kalbur, por si një zorrë qorre që është si një apendisit në trupin e Shqipërisë, që i shkakton trupit të Shqipërisë shqetësime të herëpashershme dhe mbi të gjitha, dhe që e ka bërë Shqipërinë shqetësim për shkak të tyre për partenerët dhe aleatët tanë strategjikë. Kjo është gjëja më e rëndë.

Mund të mos kesh dëftesë punë e madhe shumë, mund të ngresh gishtin e mesit për të treguar nuk e di se çfarë. Këto janë gjëra që kalojnë.

Por t’i japësh fytyrën surretërve të së shkuarës që janë në sheshin e betejës për të marrë peng vendin për hallet e tyre personale, kjo është e papranueshme dhe pavotueshme”, theksoi Rama.