Ballina Vendi Rama: Deri në përfundim të këtij mandati, pagat e mjekëve do rriten...

Rama: Deri në përfundim të këtij mandati, pagat e mjekëve do rriten deri në 100%! 

2

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri në përfundim të këtij mandati, qeveria e tij do të rriti me 100% pagat e mjekëve në krahasim me pikënisjen e qeverisjes së Partisë Socialiste.

Gjatë një takimi me trupën e mjekëve në Tiranë, zoti Rama shprehu mirënjohje për mjekët dhe infermierët, që sipas tij kaluan me sukses një tjetër vit jo të lehtë, ndërsa po e rrisin çdo vit cilësinë e shërbimit publik shëndetësor, falë edhe investimeve të mëdha të qeverisë për shëndetësinë.

“Ne e dimë shumë mirë se pavarësisht se pagat janë rritur me 70% në raport me pikënisjen, nuk mjafton dhe duhet të bëjmë sërish rritje që të paktën brenda këtij mandati pagat t’i kemi rritur 100%. Të jeni të sigurt që këtë do ta bëjmë sepse ju meritoni edhe më shumë se kaq” tha kryeministri Edi Rama.

Kreu i ekzekutivit tha se shumë shpejt do të niste shtrirja e autonomisë spitalore në terren, dhe se për këtë kishte shërbyer edhe akreditimi i spitaleve universitare rajonale. 

“Mezi pres që të fillojë shtrirja në terren e autonomisë spitalore sepse është objektiv i përhershëm. Janë krijuar kushtet tani sepse ju e dini se është e thjeshtë ta thuash, por e vështirë për ta realizuar. Lajmi i mirë është që ne kemi spitale universitare rajonale që janë akredituar duke marrë të gjitha pikat e nevojshme për të zotëruar standartet për akreditim” u shpreh kryeministri.

Lidhur me punësimet zoti Rama tha se vetëm në vitin e fundit ishin punësuar rreth 900 infermierë dhe 335 mjekë të rinj, falë aplikimit në sistem.

“Pavarësisht një prirjeje që është edhe mes bluzave tona të bardha siç është në shumë vende të jugut të Europës për t’u larguar, kemi pasur mundësinë të punësojmë rreth 5 mijë infermerë në spitalet tona. Janë mbi 900 vetëm këtë vit, të punësuar të rinj në sistem, ashtu sikundër janë 1320 mjekët e punësuar në këtë periudhë dhe 335 gjatë këtij viti”- përfundoi Rama.

Në ceremoni kryeministri Edi Rama u shpërndau disa mjekëve certifikata mirënjohje për shërbimin e tyre ndaj publikut.