Kryeministri socialist Edi Rama ka çelur fushatën e zgjedhjeve lokale të Partisë Socialiste në Durrës, ku premtoi se ky qytet do jetë një nga destinacionet më të kërkuara turistike në Mesdhe.
“Potenciali i Durrësit është i jashtëzakonshëm, me investimet e reja masive që do bëjmë, Durrësit do ketë një transformim rrënjësor dhe do kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe. Kjo do të thotë se do rriten mundësitë për punë dhe jo vetëm kaq, do ketë punët më të mirëpaguara. Në Durrës janë dy porte kyçe, për të dyja këto porte jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do vijojnë intensivisht punimet” tha më tej zoti Rama.
Kryeministri socialist përmendi më tej edhe ndërtimin e bazës ushtarake të Porto Romanos si një baze operacionale e NATO-s.
Duke ju referuar Durrësit si qendër hekurudhore, ai tha se me linjën e re hekurudhore dhe me trenat e rinj një tjetër infrastrukturë e rëndësishme do t’i shtohet qytetit. Ai kujtoi se po vijon puna me qeverinë e Kosovës për hekurudhën nga Durrësi drejt Kosovës që mundëson një tjetër aks të rëndësishëm për hyrjen e mallrave në të gjithë rajonin.
Zoti Rama theksoi se Durrësi gjatë drejtimit të kryebashkiakes Emirjona Sako është kthyer në një qytet më të pastër.
Duke ju referuar projekteve të cilat janë në zbatim e sipër, kryeministri socialist ju referua kundërshtarëve të tij në politikë, dyshes Meta-Berisha, duke theksuar se pas gjithë arritjeve të shënuara, Durrësi nuk mund të kthehej mbrapa.
“Dua të mbyll duke u kërkuar të gjithëve të bëni një krahasim shumë të thjeshtë. Përfytyroni çfarë pafytyrësie duhet për të ardhur këtu dhe për të kërkuar votën e qytetarëve të Durrësit për ta kthyer Durrësin mbrapa, aq mbrapa sa të kthehet në një qytet ku vendosin dy hijet e së kaluarës me një kukull që kanë vendosu këtu. Nuk kam asgjë me kukullën e vendosur këtu, por Durrësit i duhet të vazhdojë përpara” tha zoti Rama.
Kryeministri Edi Rama e mbylli takimin me qytetarët në Durrës me mbjelljen e pemëve, në zonën e Vollgës. Ai ka premtuar se do të ketë takime të vogla me qytetarë dhe se gjysmën e shpenzimeve për fushatën do të jepen për mbjelljen e pemëve në të gjitha bashkitë e vendit.
/ rtsh.al /