Zgjedhjet e 14 majit do të përballin në garën për të fituar drejtimin e bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefën kandidaten e Partisë Socialiste dhe Eduart Sharkën përfaqësues i PD në koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Që në prononcimin e parë pas mbledhjes së kryesisë socialiste i deleguari i qarkut, deputeti Taulant Balla ka konfirmuar mbështetjen për kryetaren aktuale Eriselda Sefën për të cilën ka pohuar dhe pse një vit në drejtim të bashkisë së Lushnjës puna e saj ka folur shumë për qytetarët dhe janë realizuar projekte me peshë të ndejshme në drejtim të jetës së komunitetit lushnjar dhe fermerëve të kësaj bashkie.
Eriselda Sefa ka mbaruar për Shkenca sociale dhe në begraundin e saj ka gati 17 vjet që punon në Bashkinë e Lushnjës në disa pozicione deri sa në prill 2022 u zgjodh kryetare e Bashkisë me mandat 1 vjeçar, pas arrestimit te kryetarit Tusha nga SPAK. Në fjalën e tij gjatë prezantimit si kandidaturë e koalicionit “Bashkë fitojmë” kandidati Eduart Sharka ka akuzuar se jemi përballë propagandës arrogante dhe se në 16 vjet bashkia e Lushnjës ka bërë punë pa projekte .
Kujtojmë se Eduart Sharka është me profesion ekonomist. Ai njihet si mbrojtës i kauzave tw forta në mbrojtje të fermerëve dhe bizneseve të vogla dhe të mesme. Që në fillimet e saj kjo fushatë është shoqëruar me akuza të forta nga ana e opozitarëve në drejtim të menaxhimit të bashkisë nga socialistët dhe abuzimet e shumta që janë bërë me fondet publike. Tashmë iu takon qytetarëve lushnjarë që të zgjedhin në 14 maj midis Eriselda Sefës dhe Eduart Sharkës për të marrë në dorë frenat e bashkisë së Lushnjës.