Qeveria miratoi dje (4 maj) ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në Golem të bashkisë Lushnje si dhe të një centrali gjenerues të energjisë elektrike eolike në Orikum.
Centrali fotovoltaik dhe veprat ndihmëse do të ndërtohet në fshatin Allprenaj, njësia administrative Golem, Bashkia Lushnjë, Qarku Fier, nga shoqëria “5GX ENERGY”, sh.p.k dhe kapaciteti i instaluar do të jetë 10 MW.
Centrali gjenerues i energjisë elektrike eolike në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë do të ndërtohet nga shoqëria “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., dhe do të ketë një kapacitet të instaluar prej 3 MW
Afati i pritshëm i vënies në punë i dy centraleve do të jetë 36 muaj me një afat operimi prej 49 vitesh nga hyrja në fuqi vendimit të qeverisë.
Të dyja shoqëritë kanë detyrimin të dorëzojnë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës me ministrinë e Energjisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë.
Gjithashtu t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në këtë rast, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
Po kështu shoqëritë duhet të përmbushin kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
Kontrolli
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit. Edhe shoqëritë duhet të paraqesë periodikisht çdo tre muaj pranë kësaj ministrie informacion për ecurinë e ndërtimit të centraleve dhe të respektojë licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse.
Në vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike Shoqërisë “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik
Tek shoqëria “5GX ENERGY”, sh.p.k e drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
Tek shoqëria “RENEW POWER ALBANIA”, sh.p.k., e drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 3 MË, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10% e kuotave të shoqërisë për qëllime të veçanta mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
/rtsh.al/