Transmetuesi shtetëror i Iranit u hakërua gjatë transmetimit të lajmeve ku shfaqej protesta kundër liderit të vendit. Edicioni i lajmeve është ndërprerë me imazhet në të cilat është parë lideri suprem, Ali Khamenei dhe një shënjestër në kokën e tij, fotografi të Aminit dhe tri grave tjera të vrara në protestat e fundit. Grupi e quajti veten “Adalat Ali”, ose Drejtësia e Aliut.
Ndërkohë një nga titrat shkruante “bashkohuni me ne dhe ngrihuni”, ndërsa një tjetër thoshte “gjaku i të rinjve tanë po ju pikon nga putrat”.
Kjo vjen pasi të paktën tre persona u qëlluan për vdekje kur protestuesit u përleshën me forcat e sigurisë në trazira të reja për vdekjen e Mahsa Amini.
Zonja Amini u arrestua në Teheran nga policia e moralit pasi dyshohet se nuk i mbuloi flokët siç duhet. Kurdja iraniane 22-vjeçare vdiq në paraburgim më 16 shtator, tre ditë pas arrestimit të saj. Vdekja e saj ka shkaktuar një valë të paprecedentë protestash në të gjithë vendin.
Më shumë se 150 persona janë vrarë prej kur kanë nisur protestat në Republikën Islamike më 17 shtator.
/rtsh.al/