Teksa sot në orën 10:00 pritet të nisë protesta e opozitës, policia ka marrë masa në kuadër të ruajtjes së sigurisë.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se rreth 1000 efektivë policie janë në gatishmëri. Gjithë perimetri i godinës së seancave plenare do të jetë i rrethuar me uniforma blu, ndërsa në të gjithë zonën janë shtuar masat e sigurisë.
Në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”, ndërsa ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e anësore të parlamentit. Forca të shumta të policisë si dhe efektivë të Gardës janë dislokuar edhe në pjesën anësore nga krahu i “Pedonales” nga pritet të bëhet edhe hyrja e deputetëve. Policia do marrë masa edhe për bllokimin e rrugëve, ku rreth orës 09:30 do të ketë kufizime të qarkullimit në rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” dhe kryqëzimi i rrugës së Elbasanit.