Ballina Lajme Propozimet, nis konsultimi publik për ligjin e arsimit parauniversitar 

Propozimet, nis konsultimi publik për ligjin e arsimit parauniversitar 

1

Këtë të mërkurë, ministrja e Arsimit dhe Sportit ka nisur procesin e konsultimit publik të ligjit për arsimin parauniversitar me mësues, ekspertë, përfaqësues dhe drejtues të institucioneve arsimore nga i gjithë vendi.

Ky proces në ditët në vijim do të vijojë me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillin Kombëtar të Prindërve, Bashkitë, Parlamentin e Nxënësve dhe shoqërinë civile.

Gjatë prezantimit që bëri Ministrja Kushi, theksoi se këto ndryshime janë nisur edhe nga problematikat e hasura gjatë këtyre viteve në zbatimin e këtij ligji.

Propozimet

-të implementojnë konceptin e shkollave të mesme të bashkuara;

-të sigurojnë edukimin dhe promovimin e talenteve në arsimin bazë, jo vetëm nga shkollat e drejtimit të orientuar, por edhe nga shkollat e tjera 9-vjeçare;

-të sigurojmë të drejtën e nxënësve që të regjistrohen në klasë të parë edhe kur ata e mbushin moshën 6 vjeç pas fillimit të vitit shkollor, por deri në 31 dhjetor të po atij viti kalendarik;

-të përfshijnë në institucionet arsimore parauniversitare mësuesin në dispozicion;

-të sigurojnë mbështetje institucionale për nxënësit me aftësi të kufizuar nëpërmjet krijimit të Qendrave Burimore;

-të sigurojnë mbrojtje për nxënësit, duke ndaluar përfshirjen në sistemin arsimor të personave (mësuesve) të cilët janë dënuar për vepra penale që lidhen me të mitur, apo institucionet arsimore, pavarësisht rehabilitimit të tyre;

Në lidhje me propozimin e moshës minimale të hyrjes në klasë të parë, Ministrja Kushi u shpreh se kjo temë ka hapur debat pasi është keqinterpretuar, pasi fëmijët nuk detyrohen që të hyjnë në shkollë 5 vjeç.