Elbasan- Shtyhet seanca ndaj ‘spiunes’ ruse Svetlana Timofeeva.
Për shkak të refuzimit të vetë Timofeevas dhe për shkaqe të tjera prokuroria i ka kërkuar gjykatës të mos lejojë ekstradimin e shtetases ruse. Prokuroria arsyeton se shkaqet e mësipërme e bëjnë të besojë në mosrespektimin e të drejtave të saj në Rusi.
Për këtë arsye prokuroria i kërkon gjykatës që Svetlana Timofeeva të mos ekstradohet.
Ndërkohë ka folur për herë të parë Svetlana Timofeeva, e cila ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e Rusisë dhe ajo të qëndrojë në Shqipëri.
“Kërkesa e vendit tim duhet refuzuar. Kam bërë kërkesë si azil-kërkuese në Shqipëri dhe kjo kërkese e imja po shqyrtohet. Dua te qëndroj në Shqipëri dhe të mos më dërgoni në Rusi“- ka thënë ajo para Gjykatës.
Gjykata e Elbasanit do të japë vendimin më 13 prill ora 9:00.
Pritet që beteja ligjore në Shqipëri të vijojë pasi 33-vjeçarja nuk pranon ekstradimin në vendin e saj i cili e akuzon për marrje në mënyrë të jashtëligjshme të informacioneve që përbëjnë sekret shtetëror.
Rusja, e cila u arrestua në Shqipëri në gusht të vitit 2022 teksa kaloi një perimetrin e sigurisë së uzinës së armëve në Gramsh, përballet në Shqipëri me një tjetër proces, e akuzuar sërish për spiunazh.
Teksa përfundoi afati i arrestit me burg, Gjykata e Elbasanit vendosi zgjatjen e afateve të paraburgimit edhe pse ky vendim u cilësua i jashtëligjshëm dhe në shkelje të të drejtave nga ana e mbrojtjes.
Në të njëjtin proces, me akuzën e marrjes së informacionit që përbën sekret shtetëror, dhe goditjes për shkak të detyrës, gjykohen edhe dy bashkëpunëtorët e Zvetlana Timofevës, një shtetas rus dhe një ukrainas.